BBC: Tre skenarët se si mund të përfundojnë zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

BBC: Tre skenarët se si mund të përfundojnë zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

BBC: Tre skenarët se si mund të përfundojnë zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

Pas muajsh të tërë fushate elektorale dhe miliarda dollarësh të shpenzuara, dita e zgjedhjeve afatmesme në SHBA ka mbërritur më në fund. Sipas sondazheve të fundit të opinionit publik, demokratët duket se janë në avantazh. Megjithatë, sondazhet nuk kanë qenë gjithmonë të besueshme dhe edhe këtë vit mund të ketë rezultate surprizuese.

Sponsor 3M Express

Në vija të përgjithshme, ekzistojnë tre skenarë të mundshëm për atë që mund të ndodhë pasi amerikanët të votojnë. Më poshtë janë tre rezultatet e mundshme, shenjat e para që mund të shfaqen gjatë numërimit të votave dhe çfarë mund të nënkuptojnë ato, sipas BBC.

1. Një valë e madhe në favor të demokratëve

Nëse historia është një tregues, zgjedhjet afatmesme zakonisht favorizojnë partinë që nuk është në pushtet. Kësaj i shtohen edhe rezultatet e sondazheve, që tregojnë se presidenti aktual gëzon një popullaritet historikisht të ulët, lufta me Iranin që ka rritur kostot për konsumatorët, si dhe disa politika të diskutueshme, si zbatimi agresiv i masave kundër emigracionit dhe mbështetja për ndërtimin e qendrave të të dhënave.

Të gjitha këto krijojnë kushtet për atë që njihet si një valë e madhe elektorale. Në këtë skenar, demokratët do të arrinin një fitore të thellë. Ata jo vetëm që mund të merrnin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por edhe të tejkalonin ndjeshëm pragun prej 218 mandatesh që nevojiten për të siguruar shumicën. Demokratët mund të fitonin jo vetëm në rreth një duzinë garash që analistët i konsiderojnë të vështira për t’u parashikuar, por edhe në disa zona tradicionalisht më konservatore.

Në Senat, ky skenar do të kërkonte që demokratët të fitonin të gjitha ose shumicën e garave ku rezultati është i pasigurt, përfshirë edhe disa shtete tradicionalisht konservatore. Një fitore e tillë do të përfshinte të paktën një rezultat befasues në një shtet si Teksasi, ku demokratët nuk kanë fituar prej një brezi, ose në Kansas, ku kjo nuk ka ndodhur prej gati një shekulli. Nëse ky skenar realizohet, demokratët nuk do të merrnin thjesht kontrollin e Senatit, por do të siguronin edhe një ose dy vende më shumë se shumica e nevojshme.

Demokratët mund ta arrijnë këtë rezultat duke rritur pjesëmarrjen e mbështetësve të tyre dhe duke fituar me diferencë të konsiderueshme votën e të pavarurve. Kjo do të përmbyste përparimin që Trump arriti në zgjedhjet e vitit 2024 mes votuesve hispanikë dhe meshkujve të rinj. Një pjesë e votuesve republikanë mund të votojnë gjithashtu për demokratët ose të zgjedhin të mos marrin pjesë në votime. Një rezultat i tillë do të përbënte një goditje të fortë për Trump dhe Partinë Republikane, duke hapur rrugën për dy vite përplasjesh mes një Partie Demokratike të fuqizuar, që do të kontrollonte pushtetin legjislativ, dhe një presidenti që rrallë tërhiqet nga konfliktet politike.

Shenjat e para gjatë numërimit të votave: Nëse demokratët ruajnë avantazhin në garat e synuara për Dhomën e Përfaqësuesve në Florida dhe fitojnë disa zona republikane në Karolinën e Veriut, Miçigan, Nju Jork, Virxhinia dhe Kentaki. Nëse arrijnë të marrin edhe vendin e senatorit në Karolinën e Jugut, kjo do të jetë një natë shumë e mirë për demokratët.

2. Një fitore e lehtë për demokratët

Ndoshta sondazhet nuk do të jenë krejtësisht të gabuara, por as plotësisht të sakta.
Në këtë skenar, demokratët mund të fitojnë mjaftueshëm vende në Dhomën e Përfaqësuesve për të siguruar shumicën, por pa arritur një epërsi të konsiderueshme.
Kjo do të thotë se drejtuesit demokratë në këtë institucion do të duhet të negociojnë vazhdimisht me anëtarët e krahut të majtë dhe të qendrës, në mënyrë që të sigurojnë votat e nevojshme për miratimin e ligjeve.
Sa i përket Senatit, në këtë skenar hipotetik demokratët do të arrinin të fitonin vetëm një ose dy vende. Karolina e Veriut, për shembull, duket pothuajse e sigurt, por garat në shtetet me prirje konservatore do të rezultonin të paarritshme për ta. Ndoshta ata nuk do të arrijnë të mposhtin senatoren republikane Susan Collins në Maine, ose kandidati i krahut të majtë, Abdul El-Sayed, nuk do të arrijë ta mbajë Miçiganin në kampin demokrat.

Mund të ndodhë gjithashtu që polemika për dy kandidatët me emrin Dan Sullivan të ndikojë në humbjen e kandidates demokrate Mary Peltola në Alaskë. Që ky skenar të realizohet, pjesëmarrja e lartë e demokratëve në votimin e hershëm duhet të shoqërohet me një mobilizim të republikanëve në ditën e zgjedhjeve.

Përpjekjet e Trump për të mobilizuar bazën e tij në shtetet republikane mund ta ndihmojnë partinë të shmangë skenarin më të keq. Garat që në sondazhe rezultojnë pranë kufirit të gabimit mund të prodhojnë rezultate të përziera për të dyja partitë. Rezultati do të ishte një Kongres i ndarë mes dy forcave politike, një situatë që mund të sjellë bllokim të vendimmarrjes politike.

Shenjat e para gjatë numërimit të votave:Nëse Florida mbetet qartësisht në kampin republikan. Nëse demokratët fitojnë disa vende në Dhomën e Përfaqësuesve në zona si Virxhinia dhe Pensilvania, por republikanët që garojnë në zona ku kanë një avantazh më të sigurt arrijnë të ruajnë mandatet.

3. Një natë e mirë për republikanët

Ky skenar parashikon që republikanët të arrijnë të ruajnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit. Për këtë të ndodhur, sondazhet, të cilat edhe më parë kanë nënvlerësuar mbështetjen për Trump, duhet të rezultojnë të pasakta dhe garat e ngushta duhet të përfundojnë kryesisht në favor të republikanëve.

Jo vetëm që votuesit republikanë duhet të marrin pjesë në numër më të madh nga sa pritej, por edhe votuesit e pavarur dhe ata hispanikë, të cilët duket se janë larguar nga politikat e Trump, duhet të rikthehen në mbështetje të tij. Në këtë skenar, kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve, që deri tani dukej pothuajse i sigurt për demokratët, mund të vendoset në fund nga rezultatet në Kaliforni dhe procesi disa ditor i numërimit të votave me postë. Në fund, republikanët mund të siguronin një shumicë të ngushtë, pjesërisht falë përpjekjeve për të ndryshuar kufijtë e zonave zgjedhore në favor të tyre në shtete si Teksasi, Florida dhe Karolina e Veriut.

Republikanët mund të fitojnë gjithashtu të gjitha garat për Senatin në shtetet konservatore dhe të marrin edhe një vend në Miçigan, i cili para zgjedhjeve mbahej nga demokratët. Edhe nëse nuk arrijnë të fitojnë në Karolinën e Veriut, Minesota apo Nju-Hampshire, ku garat janë më pak konkurruese, ata të paktën mund t’i vënë në vështirësi kandidatët demokratë.

Nëse ky skenar realizohet, Trump mund të pretendojë të mërkurën në mëngjes se ka marrë një mandat të ri elektoral dhe të vijojë përpara me agjendën e tij të brendshme dhe të jashtme, me mbështetjen e vazhdueshme të një Kongresi të kontrolluar nga republikanët.

Shenjat e para gjatë numërimit të votave: Nëse senatorët Ashley Moody në Florida dhe Jon Husted në Ohajo fitojnë me diferencë të thellë. Nëse republikanët ruajnë pozitat e tyre në garat për Dhomën e Përfaqësuesve në Pensilvani dhe Virxhinia, si dhe arrijnë të marrin mandate që aktualisht mbahen nga demokratët në Karolinën e Veriut, Ohajo dhe Florida./abcnews.al

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Një muaj paraburgim për turkun që sulmoi policin me tastierë kompjuteri brenda stacionit policor në Prishtinë

Një muaj paraburgim për turkun që sulmoi policin me tastierë kompjuteri brenda stacionit policor në Prishtinë

Aleanca kërkon sqarime nga Konjufca: A është shfuqizuar vendimi që ndalonte punësimin e familjarëve në diplomaci?

Aleanca kërkon sqarime nga Konjufca: A është shfuqizuar vendimi që ndalonte punësimin e familjarëve në diplomaci?

Kusari-Lila: Projektligji për Inovacion synon mbështetjen e bizneseve

Kusari-Lila: Projektligji për Inovacion synon mbështetjen e bizneseve