Aleanca ka kërkuar nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, të sqarojë nëse është shfuqizuar Vendimi 113/2024, i cili ndalonte punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve në këtë ministri.

Në një reagim publik, Aleanca ka akuzuar pushtetin për nepotizëm në emërimet diplomatike, duke pretenduar se në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës janë sistemuar persona me lidhje familjare apo politike me figura të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Insajderi.
Sipas Aleancës, vendimi në fjalë ishte nënshkruar më 23 prill 2024 nga ish-ministrja Donika Gërvalla, ndërsa emërimet e fundit diplomatike mbajnë nënshkrimin e Glauk Konjufcës.
Në mesin e rasteve që i ka përmendur, Aleanca ka përfshirë emërimin e Rinës Dragidella në Uashington, për të cilën pretendon se është mbesë e ministrit Xhelal Sveçla, Kaltrina Dalipit në Berlin, të cilën e lidh familjarisht me ish-shefin e kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi, si dhe Vera Rexhepi Lecin në Iowa, për të cilën thotë se është bashkëshortja e një bashkëpunëtori të afërt biznesor të Dalipit.
Reagimi i plotë:
Glauk Konjufca, dilni dhe sqaroni: A u shfuqizua “Vendimi 113”?
Partia në pushtet ka eskaluar me punësime të diplomatëve, e krejt këta po rezultojnë të afërm dhe familjarë me figura të Vetëvendosjes.
Më 23 prill 2024, paraardhësja e tij, Donika Gërvalla, pati nënshkruar Vendimin nr. 113/2024 për ndalimin e rreptë të punësimit të familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve në MPJD. Bile thonin se po çkapnin diplomacinë nga “baxhanakët dhe kunatat”.
Por, letrat e siguruara dhe të publikuara nga mediat shpërfaqin një realitet flagrant. Të gjitha vendimet e fundit mbajnë nënshkrimin e Glauk Konjufcës, në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ja se si është katandisur shërbimi diplomatik në emra dhe lidhje të pastra pushteti:
• Rina Dragidella (Uashington, SHBA): Mbesa e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla (dhe vajza e Magbule Hysenit, e cila po ashtu u sistemua në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë). U emërua Sekretare e Dytë pa e plotësuar as kriterin bazë rregullativ prej një viti përvojë pune në MPJD në kohën e konkursit.
• Kaltrina Dalipi (Berlin, Gjermani): Vajza e axhës së Luan Dalipit, ish-shefit të kabinetit të Albin Kurtit. U dërgua Sekretare e Dytë pa pasur gradë diplomatike të fituar përmes procedurave dhe pa kaluar në Komisionin e Gradave (përderisa motra e saj, Flaka Dalipi, u punësua brenda në MPJD).
• Vera Rexhepi Leci (Iowa, SHBA): Bashkëshortja e Burim Lecit, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë biznesi i Luan Dalipit në kompaninë MDA. U emërua Konsulle direkt me gradë funksionale pa pasur asnjë gradë paraprake diplomatike.
• Lumturie Lipoveci (Hagë, Holandë): Tezja e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Krenare Çerkini. U emërua me vendim të Konjufcës më 20 maj 2026 direkt me gradën e lartë diplomatike Këshilltare.
• Njazi Ajvazi (Kopenhagë, Danimarkë): Ish-anëtar i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë, i cili në konkursin e shërbimit të jashtëm kishte marrë pikët më të ulëta ndër kandidatët e pranuar, e që sot rehatohet si Sekretar i Dytë.
Aleanca ka këto pyetje për qeverinë dhe Ministrin e Jashtëm:
1. Z. Konjufca, a është shfuqizuar zyrtarisht Vendimi 113/2024 që ndalon punësimin e familjarëve? Nëse po, kur dhe pse? A i ka ndryshuar parimet Vetëvendosje apo po shkelet ligji që e keni bërë vet ju?
2. Si ka mundësi që diplomacia e Kosovës në kryeqendrat botërore si Uashingtoni, Berlini e Haga po shndërrohet në “rehati familjare” për njerëzit e lidhur me pushtetin, duke shkelur çdo premtim që keni dhënë sa ishit në opozitë?
3. A vlen ende parimi se “fisi është vetëm për dasma”, apo tash që jeni në pushtet, dasmat po i organizoni direkt me dekrete e grada brenda ambasadave të Republikës së Kosovës?
Ndryshimi i parimeve, e shkelja e ligjit ekzistues është tradhtia më e madhe që mund t’u bëhet profesionistëve të rinj dhe diplomatëve të karrierës.
Aleanca nuk do të heshtë para këtij nepotizmi flagrant dhe do të kërkojë llogaridhënie deri në fund për secilin të emëruar! /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi




