Barcelona po shqyrton mundësinë e përforcimit të repartit defensiv gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa njëri prej emrave që raportohet se pëlqehet nga drejtuesit katalunas është qendërmbrojtësi i Paris Saint-Germainit, Willian Pacho.

Sipas gazetarit Ekrem Konur, klubi spanjoll po përgatit një lëvizje të mundshme për të siguruar shërbimet e mbrojtësit ekuadorian gjatë afatit kalimtar dimëror.
Barcelona po kërkon më shumë siguri në repartin defensiv, pasi lëndimet dhe mungesat e futbollistëve si Jules Koundé dhe Eric García kanë krijuar vështirësi për trajnerin Hansi Flick.
Pacho shihet si një profil që mund t’i ofrojë stabilitet dhe cilësi mbrojtjes së Barcelonës, veçanërisht në përballjet ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë.
Megjithatë, transferimi i tij nuk pritet të jetë aspak i lehtë. Ekuadoriani është shndërruar në një futbollist të rëndësishëm për skuadrën e Luis Enriques, pasi iu bashkua PSG-së në verën e vitit 2024 nga Eintracht Frankfurti.
Për më tepër, klubi francez ka vazhduar kontratën e tij deri në qershor të vitit 2031, duke e vendosur veten në një pozitë të favorshme në rast të interesimit konkret nga Barcelona.
Mbetet të shihet nëse katalunasit do të ndërmarrin hapa konkretë për transferimin e mbrojtësit gjatë afatit kalimtar të janarit.
Burimi: Sinjali



