Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha, është pezulluar përkohësisht nga puna, pas arrestimit dhe caktimit të masës së arrestit shtëpiak ndaj tij.

Vendimi për pezullimin e Berishës ka hyrë në fuqi më 2 nëntor 2026 dhe do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi të ri lidhur me statusin e tij të punës.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Mirlinda Qyqalla. Ajo ka bërë të ditur se masa është ndërmarrë për shkak të mbajtjes së Berishës në arrest, bazuar në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas Qyqallës, SHSKUK-ja do të veprojë në përputhje me vendimet dhe procedurat ligjore në fuqi.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar Gëzim Berishës masën e arrestit shtëpiak për një muaj, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




