Aktorja, Arjola Demiri, ka ndarë përvojën e saj personale, duke e lidhur me rastin e Arlinda Zekajt dhe vështirësitë që, sipas saj, hasin gratë kur përpiqen të largohen nga marrëdhëniet e vështira dhe të kërkojnë mbrojtje nga institucionet.

Gjatë një bisede në podkastin e Grida Dumës, Arjola ka thënë se Arlinda është përballur me neglizhencë institucionale dhe se situata mund të kishte përfunduar ndryshe nëse kërkesa e saj për ndihmë do të ishte marrë seriozisht.
Aktorja ka treguar se edhe vetë ka kaluar një proces të gjatë gjyqësor për ndarjen e përgjegjësisë prindërore.
Ajo ka kujtuar se nuk ka dashur që familja e saj të përfshihej në përplasjet me familjen e ish-bashkëshortit, duke theksuar se ka tentuar ta qetësojë situatën.
Arjola ka kritikuar edhe qëndrimin e punonjëses sociale dhe psikologes gjatë procesit, duke thënë se nuk ka ndier mbështetjen e tyre.
Sipas saj, thirrja e Arlindës për ndihmë nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur.
Në fund, ajo ka ngritur edhe shqetësimin për ndikimin që mund të ketë fuqia ekonomike në mënyrën se si trajtohen rastet nga institucionet, duke pretenduar se personat me më shumë mundësi financiare mund të kenë ndikim më të madh. /Telegrafi/




