Talenti i Gjilanit Arjol Bllaca është shpallur lojtari më i mirë i javës në Superligën e Kosovës, nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Bllaca shkëlqeu në triumfin e Gjilanit, duke qenë kyç për të kontribuar me dy gola dhe një asistim në proces.
“Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon me ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.
Pas ndeshjeve të xhiros së trembëdhjetë, ky çmim i është ndarë futbollistit të SC Gjilani, Arjol Bllaca, i cili ishte protagonist kryesor në përballjen e skuadrës së tij kundër FC Malishevës.
Bllaca pati një paraqitje fantastike, duke realizuar dy gola dhe duke kontribuar me një asistim, në fitoren 3:2, me çka dëshmoi efikasitet, kreativitet dhe ndikim të jashtëzakonshëm në lojën ofensive të skuadrës së tij.
Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili bën vlerësimin e futbollistit më të dalluar të çdo xhiroje, vendosi që çmimi “Ylli i Javës” t’i takojë Arjol Bllacës, duke vlerësuar paraqitjen e tij të shkëlqyeshme, kontributin vendimtar dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në lojën e skuadrës”, thuhet në njoftimin e FFK-së./Telegrafi/




