Një 60-vjeçar nga Pensilvania ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness, pasi ka ndjekur 1,207 filma në kinema brenda një viti, mesatarisht 3.3 filma në ditë.

Glenwood Hoskin Jr. i tregoi Guinness World Records se kishte qenë duke kërkuar në internet kur kishte zbuluar dy rekorde: atë për numrin më të madh të shfaqjeve të të njëjtit film në kinema dhe rekordin për numrin më të madh të filmave të parë në kinema brenda një viti.
Rekordi i parë, me 292 shfaqje të të njëjtit film, iu duk i vështirë për t’u arritur, sidomos për shkak të kohës së shkurtër që filmat qëndrojnë në kinema në epokën e platformave të transmetimit. Prandaj, ai vendosi të synonte rekordin për numrin e përgjithshëm të filmave të parë brenda një viti.
“Më pëlqente shumë të dilja nga shtëpia, ndërsa gjithmonë më kanë pëlqyer sfidat dhe vendosja e objektivave. Jam gjithashtu njeri i organizuar, ndaj edhe përgatitjet që bëra për këtë sfidë e bënë atë më argëtuese”, tha Hoskin.
Ai e nisi përpjekjen në prill të vitit 2024 dhe, deri në prill të vitit 2025, kishte arritur të ndiqte gjithsej 1,207 filma, transmeton Telegrafi.
Hoskin tregoi se çdo ditë e niste duke kontrolluar orarin e shfaqjeve në kinema dhe duke planifikuar se si të shihte sa më shumë filma, nga orët e para të mëngjesit deri në mesnatë.
“U informova paraprakisht për gjithçka që do të më duhej dhe vendosa ta nisja në pranverë, në mënyrë që të kisha mundësi ta thyeja rekordin ekzistues prej 777 filmash përpara dimrit. Nuk më pëlqen të vozis gjatë dimrit, kështu që çdo film pas atij numri ishte thjesht një shtesë”, shpjegoi ai.
Kështu, ai e tejkaloi me lehtësi rekordin e mëparshëm prej 777 filmash, të vendosur nga Zachariah Swope.
Hoskin tha se disa prej filmave e kishin befasuar pozitivisht. Ndër ta përmendi “The Wild Robot”, të cilin e kishte vlerësuar shumë më tepër nga sa kishte pritur, si dhe “Deadpool & Wolverine”.
“Duhet të them se nuk pati ndonjë film vërtet të keq apo ndonjë që nuk më pëlqeu”, u shpreh ai. /Telegrafi/




