Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me synimin e Kuvendit të Kosovës për të votuar sërish ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në një reagim publik, ambasada ka vlerësuar se ndryshimet e propozuara nuk do t’u shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës dhe mund të dëmtojnë marrëdhëniet e saj me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë.

Ambasada britanike i ka bërë thirrje Kuvendit që të mos nxitojë me votimin dhe të shfrytëzojë kohën për konsultime të mëtejshme, si brenda institucioneve të Kosovës, ashtu edhe me Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë.
“Mbretëria e Bashkuar vëren qëllimin e Kuvendit të Kosovës për të votuar përsëri për ligjin që ndryshon dhe plotëson Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kemi frikë se amendamentet e propozuara nuk do të bëjnë asgjë për t’i shërbyer interesave thelbësore të Kosovës dhe do të dëmtojnë marrëdhëniet e saj me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë.
Kemi marrë plotësisht parasysh forcën e ndjenjave që rrethojnë vendimet e fundit. Besojmë se qëllimet e Kosovës mund të përmbushen më së miri duke siguruar që Kosova të vazhdojë të përmbushë angazhimet e saj ndërkombëtare dhe përkushtimin e saj ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Ne e inkurajojmë Kuvendin të gjejë kohë për konsultime të mëtejshme brenda vendit dhe me BE-në dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje më të mirë, thuhet në reagimin e ambasadës.
Reagimi i Ambasadës britanike vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë sërish ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, pas kthimit të tij për rishqyrtim nga presidentja Justina Shiroka-Pula.
Burimi: Dukagjini





