Aleanca kritikuar sot qeverisjen aktuale për, siç thonë, shkelje të shumta institucionale, skandale financiare, nepotizëm dhe mungesë të llogaridhënies.

Në një reagim në Facebook, Aleanca shkruan se Kosova po e përmbyll edhe këtë javë nën një degradim institucional, ndërsa dështimet e qeverisë po rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët.
Kjo parti e ka vënë theksin te reduktimet e energjisë elektrike në disa komuna, duke thënë se mbi 11 milionë euro janë paguar brenda pesë ditëve pune për import të energjisë, ndërkohë që qytetarët po përballen sërish me mungesë të furnizimit dhe paralajmërime për shtrenjtim të tarifave.
Po ashtu, kjo parti ka folur edhe për emërimet në shërbimin e jashtëm, të cilat i cilëson si nepotizëm partiak.
“Paralelisht me kolapsin energjetik, shërbimi i jashtëm i Kosovës u shndërrua këtë javë në një fabrikë të pastër të nepotizmit partiak, ku diplomatët u zëvendësuan me nipa, mbesa e familjarë të pushtetarëve. Emërimet e dyshimta të mbesës së Xhelal Sveçlës, vajzës së axhës së Luan Dalipit dhe militantëve të tjerë nëpër ambasada kyçe, u vulosën me deklaratën skandaloze të Kryediplomatit Glauk Konjufca. Pohimi i tij publik se vetëm ia sjellin listat dhe ai i nënshkruan pa parë emrat, dëshmon shndërrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në një zyrë formale për rehatimin e familjarëve, duke shkelur çdo kriter të meritokracisë.
Kjo tendencë për të fshehur të vërtetat e qeverisjes së tyre skandaloze, u shpërfaq haptazi në Kuvend përmes një bllokade të sinkronizuar mes deputetëve të shumicës parlamentare dhe ekzekutivit, ku transparenca u sabotua në çdo nivel. Gjatë kohës sa po diskutohej për gjetjet e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm, salla u braktis masivisht nga deputetë të VV-së për të shmangur përballjen me gjetjet kritike”, thuhet në reagim.
Aleanca thekson më tej se ky izolim nga llogaridhënia mori një goditje të rëndë edhe nga Raporti i Progresit të Bashkimit Evropian.
“Ky model i shmangies së përgjegjësisë u shtri edhe brenda institucioneve më të larta ligjvënëse. Deputetë të VV-së bllokuan raportimin e detyrueshëm para Komisionit Hetimor Parlamentar për Zyrën e Kryeministrit, duke dëshmuar frikën e këtij ekzekutivi nga ballafaqimi me të vërtetën.
Skandali më i madh dhe më i rëndë kulmon me dështimin e shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve të tij. Edhe sot, në fundjavë, rrugët e Prishtinës po ushtojnë nga protestat e pandalshme për vrasjen makabre të Arlinda Zekajt në Pejë. Përballë revoltës qytetare, tymueseve dhe thirrjeve legjitime për dorëheqjen e ministrave Sveçla e Gërvalla, krerët e shtetit kanë zgjedhur heshtjen absolute.
Mungesa e përgjigjeve apo akti moral nga udhëheqësit e institucioneve vërteton se ky pushtet e ka humbur tërësisht ndjeshmërinë dhe legjitimitetin për të qeverisur me Kosovën”, thuhet në reagimin e Aleancës. /Telegrafi/




