Aleanca ka reaguar ndaj humbjes së 43.8 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë si dëshmi të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë.

Në një reagim të publikuar në profilin zyrtar në Facebook, Aleanca ka kritikuar Qeverinë për mungesë vizioni, dijeje dhe llogaridhënieje, duke theksuar se qytetarët janë ata që po e paguajnë faturën e dështimeve qeveritare.
“Përderisa çmimet rriten çdo ditë e bizneset po mbyllin dyert, Qeveria shënon edhe një dështim të radhës, humbjen e 43.8 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e Aleancës.
Sipas Aleancës, humbja e këtyre fondeve nuk mund të konsiderohet gabim apo vonesë burokratike, por papërgjegjshmëri dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj të ardhmes së Kosovës.
Aleanca ka kritikuar gjithashtu Qeverinë për dështimet në ekonomi, degradimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe izolimin diplomatik.
“Për fat të keq, faturën e këtij dështimi total nuk e paguajnë dështakët qeveritarë, por qytetarët e Kosovës!”, përfundon reagimi. /Telegrafi/




