Tre persona janë arrestuar nën dyshimin për trafikim të 136 kilogramëve marihuanë, ndërsa në mesin e të dyshuarve dyshohet të jetë i përfshirë edhe një zyrtar policor. Operacioni është zhvilluar të premten në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të fshatit Doganaj në Kaçanik, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas Sveçlës, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.
Ai ka bërë të ditur se gjatë aksionit, njëra nga veturat e dyshuara ka tentuar t’i ikë Policisë, duke shkaktuar aksidente trafiku. Për ta ndaluar atë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se dyshimet për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale janë duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.
“Gjatë operacionit, njëra nga veturat e dyshuara, në përpjekje për t’i ikur Policisë, ka shkaktuar aksidente trafiku, ndërsa zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit për ta ndaluar. Njëra nga veturat e përfshira në këtë rast ngre dyshime për implikimin e një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale. Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar për të hetuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat e rastit. Besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës do ta ruajmë dhe forcojmë përmes angazhimit të vazhdueshëm duke pastruar nga radhët e saj çdo individ të lidhur me krimin. Asnjë individ apo zyrtar nuk do të tolerohet të shkelë ligjin, e aq më pak të përfshihet në veprimtari kriminale që helmojnë rininë tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





