Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar mbi 20 aksione kundër dyshimeve për kontrabandim të mallrave nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve ilegale në zonat malore të veriut të vendit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet kanë nisur në prill të vitit 2026, ndërsa gjatë aksioneve janë sekuestruar mbi 22 automjete dhe mallra me vlerë doganore mbi 200 mijë euro, pa përfshirë taksat dhe detyrimet e tjera.

Aksionet janë zhvilluar nga maji deri në shtator, si dhe gjatë ditës së sotme, në zonat kufitare dhe në vendbanimet e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë zhvilluar përmes masave të veçanta hetimore, të zbatuara që nga 24 prilli 2026, me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Përmes tyre janë identifikuar rrugët ilegale të futjes së mallrave, personat dhe automjetet e dyshuara, si dhe lokacionet ku mallrat shkarkoheshin, depozitoheshin dhe shpërndaheshin më tej.
Sipas Prokurorisë, automjetet e përdorura për këtë veprimtari, në shumicën e rasteve, ishin të modifikuara për kontrabandë, pasi u ishin hequr ulëset e pasme. Kur vërenin praninë e zyrtarëve policorë, vozitësit i braktisnin automjetet dhe largoheshin nga vendi.
Mallrat e sekuestruara përfshijnë kryesisht produkte ushqimore, pije alkoolike dhe joalkoolike, pije energjike, cigare, barna pa banderola, produkte higjienike dhe tekstil. Në mesin e tyre janë gjetur edhe veshje me marka të mbrojtura tregtare, për të cilat, sipas Prokurorisë, nuk kishte autorizim apo licencë përkatëse.
Në njërin nga rastet janë gjetur 504 shpezë të gjalla, pa dokumentacion për origjinën dhe pa certifikatë shëndetësore. Me vendim të inspektorit veterinar, ato janë asgjësuar për shkak të rrezikut për shëndetin e njerëzve.
Prokuroria ka theksuar se qëllimi i hetimeve është parandalimi i shpërndarjes së mallrave që nuk u janë nënshtruar procedurave të importit dhe zhdoganimit, veçanërisht i produkteve ushqimore dhe barnave, për të cilat nuk dihet origjina, mënyra e ruajtjes dhe transportit apo afati i përdorimit.
Rasti po hetohet nën dyshimet për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave”, nga neni 311, dhe “Tregtia e ndaluar”, nga neni 299 i Kodit Penal të Kosovës. Personat e dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari janë identifikuar, ndërsa procedura penale ndaj tyre është duke vazhduar.
Sipas Prokurorisë, hetimet janë në fazën përfundimtare. Pas vlerësimit të provave të mbledhura, Prokurori i Shtetit do të marrë vendimet përkatëse brenda afateve ligjore.
Burimi: Dukagjini




