Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka kritikuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për vendimin që, sipas tij, shkurton afatin e vlefshmërisë së analizave laboratorike për produktet e destinuara për eksport nga gjashtë muaj në vetëm 15 ditë.

Në një postim, Mustafa ka thënë se vendimi është marrë pa paralajmërim paraprak dhe pa periudhë tranzitore, duke u shkaktuar dëme të drejtpërdrejta prodhuesve dhe eksportuesve kosovarë.
“Ky vendim sjell kosto shtesë për kompanitë, vonesa në dërgesa, dëmshpërblime kontraktuale, anulim të porosive dhe humbje të tregjeve të eksportit”, ka shkruar ai.
Mustafa e ka cilësuar të papërgjegjshme marrjen e vendimeve me ndikim të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e bizneseve pa konsultime paraprake dhe pa vlerësuar pasojat ekonomike.
Ai i ka kërkuar AUV-së ta rishqyrtojë vendimin dhe ta pezullojë përkohësisht zbatimin e kriterit 15-ditor.
Gjithashtu, ka bërë thirrje për konsultime me prodhuesit dhe eksportuesit, në mënyrë që bizneseve t’u jepet kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur. /Telegrafi/



