Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar veprimtarin, atdhetarin dhe intelektualin Xhavit Ahmeti, në 30-vjetorin e vdekjes së tij tragjike.

Përmes një mesazhi përkujtimor, Abdixhiku ka vlerësuar kontributin e Ahmetit në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke veçuar angazhimin e tij politik, arsimor dhe kombëtar.
Xhavit Ahmeti ishte pjesë e LDK-së që nga themelimi i saj, fillimisht si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, e më pas si këshilltar për arsim i presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Ai dha kontribut të rëndësishëm edhe në organizimin e sistemit të pavarur arsimor në Kosovë. Ishte profesor i Kimisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në zgjedhjet e para presidenciale dhe parlamentare u zgjodh deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Ahmeti ndërroi jetë më 21 nëntor 1996, në një aksident tragjik, gjatë një udhëtimi zyrtar drejt Beogradit.
Në mesazhin e tij, Abdixhiku ka theksuar se përkushtimi ndaj çështjes kombëtare, angazhimi politik dhe kontributi intelektual i Ahmetit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.
“Vepra, ideali dhe kontributi i prof. Xhavit Ahmetit do të mbeten përherë pjesë e kujtesës sonë kolektive. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, ka shkruar Abdixhiku.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





