Sporti spanjoll dhe ai botëror janë tronditur nga lajmi për vdekjen e sulmuesit 30-vjeçar të Tenerifes, Jesus De Miguel, i cili ndërroi jetë në spital, pas një përplasjeje të rëndë me portierin kundërshtar gjatë ndeshjes ndaj Andorrës.

Ngjarja tragjike ndodhi gjatë ndeshjes së vlefshme për javën e 12-të të divizionit të dytë spanjoll, mes Tenerifes dhe Andorrës.
Në minutat shtesë, portieri mysafir, Jesus Owono, doli nga zona e portës për të ndërhyrë në një top të gjatë, por në tentativë për ta larguar atë, goditi me gju sulmuesin De Miguel, i cili u rrëzua menjëherë në fushë.
Sulmuesi pësoi arrest kardiak dhe u desh ndërhyrja e menjëhershme e stafit mjekësor për ta rikthyer në jetë. Ai u transportua me ambulancë në spital, por gjendja e tij u përkeqësua dhe të martën në mëngjes ndërroi jetë si pasojë e dëmtimeve të rënda neurologjike.
A mund të përfundojë portieri në gjykatë?
Përtej tronditjes së madhe që shkaktoi kjo ngjarje, në Spanjë kanë nisur diskutimet edhe për përgjegjësinë e mundshme ligjore të portierit të Andorrës.
Sipas vlerësimeve të publikuara në mediat spanjolle, rasti mund të marrë edhe një rrjedhë penale nëse autoritetet konstatojnë se Owono ka vepruar me pakujdesi të rëndë, duke ndërmarrë një veprim që tejkalon kufijtë e pranueshëm të kontaktit fizik në futboll.
Në një situatë të tillë, ai mund të përballet me akuza për vrasje nga pakujdesia, varësisht nga përfundimet e hetimeve dhe vlerësimi i autoriteteve gjyqësore.
Pamjet e ndeshjes dhe rrethanat e përplasjes janë thelbësore për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident sportiv apo për një veprim që mund të sjellë përgjegjësi penale.
Deri më tani, përgjegjësia e portierit nuk është përcaktuar nga ndonjë vendim gjyqësor./Telegrafi/




