Shumë njerëz besojnë se përdorimi i syzeve mund t’i shërojë problemet e shikimit, por a është vërtet kështu?

Oftalmologia Rrona Gjini-Bytyqi, e ftuar në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga Qendra Laserike e Syrit “Kubati” dhe United Hospital, ka sqaruar rolin e syzeve dhe dallimin mes korrigjimit të shikimit dhe trajtimit të sëmundjeve të syrit.
Gjatë bisedës, Gjini-Bytyqi është pyetur për besimin se vendosja e syzeve mund t’i eliminojë problemet e shikimit dhe se pas një periudhe përdorimi, pacienti mund të mos ketë më nevojë për to.
Oftalmologia e ka kundërshtuar këtë ide, duke shpjeguar se funksioni kryesor i syzeve është korrigjimi i shikimit dhe jo shërimi i sëmundjeve që mund të prekin syrin.
“Jo, një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Syzet faktikisht nuk shërojnë kurrgjë, syzet shërbejnë vetëm me pa mirë”, ka deklaruar Gjini-Bytyqi.
Ajo ka theksuar se syzet kanë rëndësi të veçantë edhe te fëmijët, pasi përveçse u mundësojnë të shohin më qartë, ndihmojnë edhe në zhvillimin e duhur të shikimit.
“Edhe tek rastet e fëmijëve, syzet shërbejnë me pa mirë edhe me iu zhvillu shikimi”, ka shpjeguar ajo.
Sipas oftalmologes, është e rëndësishme që pacientët të kuptojnë se përmirësimi i shikimit gjatë përdorimit të syzeve nuk nënkupton domosdoshmërisht se problemi shëndetësor është zhdukur.
“Syzet nuk kanë asnjë mënyrë me parandalu ndonjë sëmundje ose me e shëru ndonjë sëmundje”, ka theksuar Gjini-Bytyqi, duke iu referuar edhe keratokonusit.
Keratokonusi është një sëmundje që prek kornenë e syrit, duke shkaktuar hollimin dhe deformimin gradual të saj. Si pasojë, pacientët mund të përjetojnë turbullim dhe deformim të shikimit.
Në raste të tilla, syzet mund të ndihmojnë në korrigjimin e shikimit, por nuk e ndalojnë vetë përparimin e keratokonusit.
Gjatë podcastit, Gjini-Bytyqi ka shpjeguar se për pacientët me keratokonus, varësisht nga stadi dhe progresioni i sëmundjes, mund të rekomandohet trajtimi me metodën Corneal Cross-Linking (CXL).
Kjo metodë synon forcimin e kornesë dhe ngadalësimin ose ndalimin e përparimit të sëmundjes, ndërsa syzet dhe lentet e kontaktit përdoren për përmirësimin e shikimit.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com




