Kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Zenun Krasniqi, thotë se njeh njerëz që janë larguar nga Kosova pavarësisht se kanë pasur punë dhe paga të mira, por që pas mbërritjes në Gjermani kanë hasur vështirësi për ta gjetur veten.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Krasniqi foli për pritjet që shoqërojnë emigrimin dhe dallimet ndërmjet jetesës në Kosovë dhe asaj në Gjermani.
“Nuk janë larguar vetëm njerëz që s’kanë pasur punë, por kanë dalë edhe njerëz që kanë pasur paga të mira në Kosovë”, tha Krasniqi, duke shtuar se për disa prej tyre jeta në Gjermani nuk ka rezultuar ashtu siç e kishin menduar, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, ritmi më dinamik i jetës, kostoja më e lartë e jetesës dhe taksat janë elemente që duhen marrë parasysh kur vlerësohet mundësia e largimit.
– YouTube www.youtube.com
Krasniqi theksoi se njeh raste të personave të ardhur në Gjermani gjatë viteve të fundit, të cilët po përballen me vështirësi për t’u përshtatur, edhe pse më parë kishin një punë të mirë në Kosovë.
Duke folur për mundësitë në vendlindje, ai vlerësoi se njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe kanë një punë të mirë janë të privilegjuar.
“Njerëzit që jetojnë në Kosovë, për mua janë të privilegjuar në qoftë se kanë një punë të mirë. Vend më të mirë për të jetuar se në Kosovë nuk ka”, tha Krasniqi.
Ai bëri thirrje që të njihen edhe mundësitë që ofron Kosova për punë dhe jetë të mirë.
“Është e rëndësishme të shihet që edhe në Kosovë është e mundshme të jetohet mirë dhe është e mundshme të punohet mirë”, theksoi Krasniqi. /Telegrafi/.



