Lionel Messi e ka marrë vendimin për të ardhmen e tij. Legjenda argjentinase do të qëndrojë tek Inter Miami, sipas një raportimi të fundit në media.

Ish-ylli i Barcelonës synon ta përmbushë kontratën me klubin amerikan, e cila është e vlefshme të paktën deri në vitin 2028, madje mund ta zgjasë qëndrimin e tij në Shtetet e Bashkuara edhe përtej këtij afati. Nuk ka negociata në zhvillim për një rikthim te klubi ku nisi karrierën, Newell’s Old Boys.
Eksperti italian i transferimeve, Fabrizio Romano, konfirmoi të premten se Messi nuk ka plane për t’u larguar nga Inter Miami dhe as për t’u transferuar në formë huazimi te Newell’s Old Boys, pavarësisht raportimeve të fundit që e lidhnin me një rikthim në Argjentinë.
Romano shtoi se Messi dhe familja e tij ndihen shumë të lumtur në Miami dhe se fokusi i argjentinasit është te përmbushja e marrëveshjes aktuale. Çdo diskutim për vazhdimin e qëndrimit përtej vitit 2028 mund të presë deri më vonë.
Në tetor të vitit 2025, Inter Miami njoftoi se kishte vazhduar kontratën me kapitenin argjentinas deri në fund të sezonit 2028 në MLS, duke i dhënë fund spekulimeve afatshkurtra për të ardhmen e tij.
Messi iu bashkua Inter Miamit në verën e vitit 2023, pas largimit nga Paris Saint-Germaini, ndërsa transferimi i tij bëri që interesimi global për ligën amerikane të rritej ndjeshëm.
Ai gjithashtu e udhëhoqi klubin drejt trofeve të para në histori: Leagues Cup në vitin 2023 dhe Supporters’ Shield në vitin 2024.
Po pse u përfol për një rikthim te Newell’s Old Boys?
Gjithçka lidhet me marrëdhënien e tij të veçantë me klubin ku nisi gjithçka. Messi iu bashkua akademisë së skuadrës nga Rosario në moshën shtatëvjeçare, përpara se të largohej nga Argjentina drejt Barcelonës kur ishte 13 vjeç.
Burimi: Insajderi




