Një rast i pazakontë i dhunës së dyshuar në familje është raportuar në Çagllavicë të Graçanicës, ku një 67-vjeçar ka kërkuar ndihmë nga personeli mjekësor, duke deklaruar se kishte frikë nga bashkëshortja e tij. Situata është komplikuar edhe më shumë kur Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka hasur në mosbashkëpunimin e gruas, pranë së cilës ndodhej edhe një thikë, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të premten, më 20 nëntor, rreth orës 22:00.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar në Polici nga personeli i Emergjencës Mjekësore në Llapnasellë, pasi burri kishte kërkuar që të njoftoheshin autoritetet.
Burri, i identifikuar me inicialet J.N., kishte deklaruar se ndihej i frikësuar nga bashkëshortja e tij, e cila, sipas tij, mbante një shkop.
Pas njoftimit, një patrullë e Stacionit Policor në Graçanicë ka shkuar në vendin e ngjarjes.
Atje, zyrtarët policorë kanë hasur në bashkëshorten e tij, K.N., rreth 71 vjeçe, pranë së cilës ndodhej një thikë.
Sipas informacioneve të siguruara, gruaja fillimisht nuk ka bashkëpunuar me zyrtarët policorë, të cilët nuk kanë arritur të hyjnë në ambientin ku ajo ndodhej.
Situata është zgjidhur pas ndërhyrjes së hetuesve për dhunë në familje, të cilët kanë arritur ta bindin gruan të bashkëpunojë.
Më pas, të dy bashkëshortët janë shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë për trajtimin e rastit.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj gruas është iniciuar rast për veprën penale “Dhuna në familje”.
E dyshuara është liruar në procedurë të rregullt, pasi i është dhënë vërejtje.
Nga informacionet e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





