Të paktën 31 persona kanë humbur jetën dhe 21 të tjerë janë plagosur nga një zjarr i përmasave të mëdha, që shpërtheu në një autostradë të frekuentuar në Kajro, pas përplasjes së një autocisterne me karburant. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria egjiptiane e Shëndetësisë, transmeton klankosova.tv.

Pas aksidentit, disa spitale në afërsi kanë pranuar të plagosur me djegie dhe probleme të shkaktuara nga thithja e tymit. Ngjarja ndodhi të mërkurën në mbrëmje, në një segment të unazës së kryeqytetit egjiptian, në lagjen Warraq, në veri të qendrës së vjetër të Kajros.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha dhe shtëllunga të dendura tymi të zi që ngrihen lart në qiellin e natës, ndërsa disa automjete pranë vendit të aksidentit janë përfshirë nga zjarri.
Sipas BBC, autoritetet ende nuk kanë dhënë një version zyrtar përfundimtar mbi rrethanat e shpërthimit të zjarrit. Megjithatë, mediat shtetërore raportojnë se autocisterna ishte përmbysur, duke derdhur karburant mbi automjetet përreth.
Prokuroria rajonale ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa ka kërkuar marrjen e mostrave të ADN-së nga trupat e viktimave për identifikimin e tyre.





