Një 26 vjeçar shqiptar është dëbuar nga Italia, pasi është kapur duke qëndruar në territorin italian pa leje qëndrimi.

Sipas mediumit italian Rietinvetrina, shqiptari u ndalua gjatë një kontrolli të Policisë së Shtetit në komunën Fara in Sabina, në provincën e Rietit.
Gjatë verifikimit të dokumentacionit, policia konstatoi se 26 vjeçari nuk posedonte leje qëndrimi. Ai u shoqërua në selinë e policisë në Rieti, ku Zyra e Emigracionit kreu verifikimet për statusin e tij administrativ.
Nga kontrollet rezultoi se shqiptari nuk e kishte rregulluar asnjëherë qëndrimin e tij në Itali, transmeton Telegrafi.
Pas përfundimit të procedurave, ndaj tij u nxor vendimi për dëbim nga territori italian.
Pas konfirmimit të vendimit nga gjykatësi i paqes, me urdhër të kuestorit të Rietit, policia e shoqëroi shqiptarin drejt aeroportit Fiumicino, ku ai u nis me avion drejt Tiranës.
Sipas të dhënave të publikuara nga policia italiane, që nga fillimi i vitit në provincën e Rietit janë nxjerrë 73 vendime dëbimi ndaj shtetasve të huaj, ndërsa 44 prej tyre janë ekzekutuar përmes riatdhesimit të menjëhershëm ose dërgimit në qendrat e qëndrimit për riatdhesim. /Telegrafi/





