Lëvizjet e çmimeve të derivateve të naftës në tregjet ndërkombëtare kanë filluar të reflektohen edhe në tregun vendor. Gjatë 24 orëve të fundit, çmimi mesatar i naftës në Kosovë ka shënuar rënie nga 1.83 euro në 1.79 euro për litër, raporton Gazeta Sinjali.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, bëjnë me dije se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet në terren për të përcjellë me kujdes nëse ulja e çmimeve të furnizimit po reflektohet te konsumatorët.
Sipas të dhënave zyrtare, përveç naftës që pësoi rënie, çmimi mesatar i benzinës në tregun kosovar ka arritur në 1.43 euro për litër.
Për të monitoruar situatën, MINTI pranon çdo ditë të dhëna nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e importit. Analiza e lëvizjes së çmimeve mbështetet në tri referenca kryesore:
Çmimi mesatar i furnizimit të ditës paraprake;
Çmimi mesatar i furnizimit të 10 milionë litrave të fundit të importuara;
Çmimi mesatar i shitjes me pakicë në tregun vendor.
Nga ministria zotohen se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të parandaluar çdo devijim apo rritje të pajustifikuar të çmimeve në pikat e karburantit në të gjithë vendin.
Burimi: Sinjali





