Gjykata Themelore në Ferizaj ua ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të arrestuarve në kuadër të operacionit policor të koduar “Kufiri 2”: Avdush Nuhijit, Taulant Etemit dhe Albina Canit.

Në aktvendimin e Gjykatës, të cilin e ka siguruar Insajderi, bëhet e ditur se masa e paraburgimit do të llogaritet nga 27 nëntori dhe do të zgjasë deri më 27 dhjetor 2026.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Fitore Krivanjeva-Daci.
Aktvendimi i Gjykatës zbardh mënyrën se si dyshohet se funksiononte grupi, rolet e personave të përfshirë dhe përdorimin e tri automjeteve për transportimin e narkotikëve.
Sipas dosjes, 136.33 kilogramë marihuanë, të ndarë në 121 paketime, dyshohet se ishin siguruar paraprakisht nga një person i identifikuar si Abdullah Shala.
Droga kishte si destinacion Hanin e Elezit dhe më pas Maqedoninë e Veriut.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më datë 27.11.2026, në kuadër të një marrëveshjeje dhe veprimi të përbashkët, me qëllim të transportimit të substancës narkotike të llojit marihuanë nga territori i Republikës së Kosovës për në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të pandehurit kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për sigurimin, marrjen, transportimin dhe përcjelljen e substancës narkotike”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Ferizajt, të siguruar nga Insajderi.
Sipas përshkrimit në dosje, grupi dyshohet se kishte përdorur tri automjete, secila me rol të caktuar në këtë operacion.
VW Arteon, me ngjyrë të kuqe, drejtohej nga Jasir Bardi, i cili dyshohet se kishte rolin e vëzhgimit në vijën e parë, për të paralajmëruar për kontrolle të mundshme policore.
Në VW Tiguan, me ngjyrë të bardhë, udhëtonin Avdush Nuhiji dhe Albina Cani, të cilët dyshohet se përcillnin rrugën dhe vëzhgonin lëvizjet përpara automjetit që bartte drogën.
Ndërkaq, Audi A6, me ngjyrë të zezë, drejtohej nga Taulant Etemi, në automjetin e të cilit transportoheshin 136.33 kilogramët e marihuanës.
Operacioni për ndalimin e të dyshuarve nisi rreth orës 09:50, në afërsi të kryqëzimit të rrugës E851 me autostradën R7.
Sipas aktvendimit, pasi policia dha sinjal për ndalim, drejtuesi i VW Tiguanit iu bind urdhrit, ndërsa Taulant Etemi, që drejtonte Audin, vazhdoi lëvizjen dhe tentoi të largohej.
Gjatë ndjekjes, Etemi dyshohet se shkaktoi aksident trafiku me dy qytetarë që po udhëtonin me automjetin e tyre, në afërsi të Urës së Madhe.
Pas kësaj, ai vazhdoi ikjen në drejtim të Kaçanikut, deri në afërsi të lokalitetit “Milenium”, ku humbi kontrollin mbi veturën dhe doli jashtë rrugës.
“Gjatë ndjekjes policore, i pandehuri ka vazhduar lëvizjen në drejtim të Ferizajt, ku në afërsi të urës së madhe ka shkaktuar aksident trafiku me lëndime ndaj dy qytetarëve që udhëtonin me automjetin e tyre, pas së cilës ka vazhduar ikjen në drejtim të Kaçanikut, në afërsi të lokalitetit ‘Milenium’, automjeti ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës”, përshkruhet në aktvendim.
Gjatë seancës dëgjimore, mbrojtësit e tre të pandehurve e kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke propozuar që ndaj tyre të caktohej masa e arrestit shtëpiak.
Mbrojtësi i Albina Canit, pretendoi se 26-vjeçarja nuk kishte ndonjë rol në veprimtarinë e dyshuar dhe se në veturën ku ndodhej ishte gjendur për shkak të njohjes me Avdush Nuhijin.
Edhe mbrojtësit e Avdush Nuhijit, avokatët Fanol Krasniqi dhe Muhamet Mehmeti, e kundërshtuan kërkesën për paraburgim.
Ata pretenduan se Prokuroria kishte paraqitur dyshime të përgjithësuara ndaj të mbrojturit të tyre, ndërsa kontestuan edhe ligjshmërinë e kohës së aplikimit të masave të veçanta hetimore.
Mbrojtja e Taulant Etemit, po ashtu, kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, duke kërkuar një masë më të butë se paraburgimi.
Gjykata refuzoi kërkesat e mbrojtjes
Megjithatë, Gjykata i vlerësoi si të pabazuara kundërshtimet e mbrojtësve dhe vendosi t’ua caktojë të treve masën e paraburgimit prej një muaji.
Në arsyetimin e vendimit, gjykata ka marrë parasysh peshën e veprës për të cilën dyshohen, sasinë e madhe të narkotikëve dhe rrezikun e ikjes, ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjes së veprës penale.
Një nga rrethanat që ka ndikuar në vendimin për paraburgim është edhe fakti se persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari ende nuk janë arrestuar.
Rasti po hetohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndërsa të tre të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim deri më 27 dhjetor 2026./Insajderi.org
Burimi: Insajderi





