Ekspertët: Të shmanget emigracioni i dytë

Të dhënat e raportit tregojnë se në 10 vite, 2013-2023, nga Shqipëria janë larguar 109 mijë shtetas. Vetëm në vitin 2025, 400 persona të rikthyer janë drejtuar në zyrat e punës, prej tyre 1/3 janë punësuar, ndërsa pjesa tjetër janë referuar për programe të formimit profesional për t’u përshtatur me tregun e punës në Shqipëri, i cili ndryshon nga ai i vendit të huaj.
“Kemi një shifër aspak premtuese të formalizimit në instrumente zyrtare të punësimit dhe një pjesë e tyre janë të vetëpunësuar. Kjo lidhet si me individin, i cili në vetvete presupozohet të gjejë kushtet e përshtatshme me pagat që ka pasur në vendin ku ishte. Pjesa tjetër ka të bëjë me strehimin dhe se si ai arrin të integrohet, dhe e gjitha ka të bëjë me atë se si ai e shikon perspektivën”, pohoi Eduart Gjokutaj, ekspert i ekonomisë.
“Të rikthyerit vijnë nga disa kultura të ndryshme dhe duhet të dimë arsyen përse vijnë. Çështja e parë është aftësia që ata sjellin me vete, pasi vijnë nga një treg dhe kulturë tjetër dhe janë ndryshe nga tregu ynë. Kemi një treg pak të kualifikuar, me kërkesa punësimi të përgjithshme dhe jo të profesionalizuara. Duhet të krijosh stabilitet financiar. Shumë prej tyre nuk gjejnë veten”, u shpreh nga nga tjetër sociologia Eris Dhamo.
Ekspertët e ekonomisë, një fokus i veçantë duhet të vendoset tek të rikthyerit për të mos pasur një emigracion të dytë.
“Është e rëndësishme që të mbahet kjo fuqi migratore. Nga njëra anë, ata janë profesionistë, sipërmarrës dhe kontrollojnë atë vlerë të munguar të ekonomisë, por nga ana tjetër kthehen në konsumatorë të ekonomisë, do të jenë kontribues në skemën e pensioneve, lidhshmëri dhe tatimpagues të radhës. Nëse nuk arrihet kjo, vala e emigrimit të dytë është më e rrezikshme, pasi një emigrant për herë të dytë nuk rikthehet më. Një pjesë e tyre, nëse ardhja në vend nuk ka përmbushur pritshmëritë, mund të kërkojë një ikje të dytë dhe tek kjo valë e të larguarve duhet të drejtohen politikat”, deklaroi Gjokutaj.
Italia, Greqia dhe Gjermania vijojnë të jenë destinacionet kryesore të emigrantëve shqiptarë./Tv Klan





