Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Në rend të ditës ishte paraparë shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, si dhe njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.
Mbledhja nuk u mbajt për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje.
Kryesusi i KGJK-së Rrustem Thaqi, tha se disa prej anëtarëve kanë informuar për arsyet e mungesës së tyre e disa jo.
Ai pati kritika për mungesën e tyre.
“Më kanë informuar se 4 prej tyre nuk do të marrin pjesë në takim… Asnjë nga anëtarët nuk kanë paraqitur kërkesë për pushim. Nuk mund të lejohet sjellja e tillë. Si pasojë e mungesës se kourumit ky takim nuk mund të mbahet”, tha ai.
Kjo pikë kishte shkaktuar përplasje edhe në mbledhjen e fundit të KGJK-së, e cila ishte ndërprerë pas debatit mes anëtarëve lidhur me shqyrtimin e kërkesës për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb në veri të vendit.
The post S’ka kuorum, dështon mbledhja e KGJK-së appeared first on Gazeta Express.

