Shqiptarë të shumtë janë mbledhur të dielën në Zarë të Kroacisë, ku kanë zhvilluar një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve po zhvillohet procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Protestuesit kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke kundërshtuar procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tyre.
Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili tha se tubimi është organizuar për të kundërshtuar, sipas tij, padrejtësitë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit brohoritën vazhdimisht “UÇK, UÇK”, ndërsa mbanin flamuj kuqezi dhe shprehën mbështetje për ish-udhëheqësit e luftës.
Protesta në Zarë vjen pasi trupi gjykues në Dhomat e Specializuara caktoi 16 shtatorin, në orën 10:00, si datë për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Sipas vendimit të trupit gjykues, shpallja e aktgjykimit është shtyrë për shkak të vëllimit të madh të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor.
Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në Prishtinë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në Hagë.

