By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Sa më parë Kosova në NATO, më shumë siguri në Ballkanin Perëndimor
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Sa më parë Kosova në NATO, më shumë siguri në Ballkanin Perëndimor
TOP Momenti

Sa më parë Kosova në NATO, më shumë siguri në Ballkanin Perëndimor

Momenti
Published: June 3, 2026

Opinion nga Albanians For America

Anëtarësimi i Kosovës në NATO përveç se një prioritet shtetëror, është domosdoshmëri dhe garanci e stabilitetit jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.

Your browser does not support the video tag.

Zhvillimet në aspektin e sigurisë në Evropë dhe rritja e mundësive për t`u përballur me situata të komplikuara në sferën e sigurisë, e shtrojnë nevojën që ky proces të mos zvarritet, por të përshpejtohet. Sa më parë që Kosova të jetë në NATO, më shumë siguri do të ketë në Ballkanin Perëndimor.

Përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës kanë treguar mjaftueshëm urgjencën e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Your browser does not support the video tag.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Banjskë mbetet shembulli më tipik i këtij rreziku. Një grup i organizuar dhe i armatosur rëndë sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Edhe më tej, kryeterroristi Milan Radojçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, ndërkaq tre sulmues të tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm. Refuzimi i autoriteteve serbe për t`i dorëzuar te autoritetet e drejtësisë së Kosovës atë dhe personat e tjerë të përfshirë, përbën mesazh shqetësues për gjithë rajonin.

Sikur nuk mjaftoi ky akt, ndaj në nëntor 2024 u krye edhe një akt tjetër terrorist ndaj infrastrukturës kritike, respektivisht u dëmtua rëndë kanali Ibër-Lepenc.

Pikërisht për këtë arsye, anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet parë si instrument parandalues, jo si burim tensioni.

Në këtë kontekst, më 30 prill 2026, kongresisti republikan Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, së bashku me kongresistët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, prezantoi Rezolutën H.Res.1246, e cila shpreh mbështetje të qartë për integrimin e Kosovës në NATO dhe u bën thirrje vendeve anëtare të Aleancës që ende nuk e kanë njohur Kosovën t`i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre.

Kjo rezolutë përfaqëson një vlerësim strategjik të zhvillimeve të fundit në Evropë, një paralajmërim për rreziqet që po shfaqen në Ballkanin Perëndimor dhe një ide të qartë për mënyrën se si mund të forcohet siguria euro-atlantike në një periudhë delikate të sigurisë në aspektin ndërkombëtar.

Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm interes i Kosovës, por edhe i vetë NATO-s, i stabilitetit rajonal dhe i sigurisë evropiane. Në realitetin e sotëm gjeopolitik, mos anëtarësimi i Kosovës paraqet rrezik më të madh sesa anëtarësimi i saj.

Nga të gjitha debatet që zhvillohen sot për sigurinë euro-atlantike, anëtarësimi i Kosovës në NATO është çështje e qartë.

Për më shumë se dy dekada, Kosova ka dëshmuar se është një histori suksesi e investimit strategjik të NATO-s dhe e Shteteve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, ndaloi një katastrofë humanitare dhe krijoi kushtet për ndërtimin e një shteti demokratik dhe properëndimor.

Sot, Kosova është ndër vendet me mbështetjen më të lartë për NATO-n dhe për Shtetet e Bashkuara në rang global.

Orientimi euro-atlantik është pjesë e identitetit të shoqërisë kosovare, ndaj Rezoluta e kongresistit Self është në harmoni të plotë me këtë realitet.

Kjo Rezolutë vjen në momentin e duhur në raport me zhvillimet në kontinentin evropian, ngase Ballkani Perëndimor mbetet një nga rajonet më të ekspozuara ndaj përpjekjeve destabilizuese.

Në këtë kontekst, Serbia vazhdon të paraqesë faktor rrezik për stabilitetin rajonal. Ndonëse formalisht aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Beogradi vazhdon të refuzojë harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe duke mbajtur marrëdhënie të ngushta politike, ekonomike dhe ushtarake me Moskën dhe Pekinin.

Paralelisht, Serbia ka investuar miliarda euro në modernizimin dhe zgjerimin e kapaciteteve të saj ushtarake. Gjatë viteve të fundit ajo ka blerë sisteme të avancuara armësh nga Rusia, Kina, Franca dhe vende të tjera, duke krijuar potencialin më të madh ushtarak në Ballkanin Perëndimor. Fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse, Serbia vazhdimisht e ka shoqëruar me retorikë nacionaliste, me mospranim të realitetit politik dhe me përpjekje të vazhdueshme për destabilizim.

Në një situatë të tillë, zmbrapsja e përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për ta cenuar integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, me tendencë për destabilizim të Ballkanit mund të prevenohet vetëm kur NATO-ja ta hapë derën për Kosovën.

Historia e Aleancës dëshmon se NATO-ja i parandalon konfliktet. Vendet që bëhen pjesë e mekanizmit të mbrojtjes kolektive, sipas Nenit 5, do të jenë pjesë të një sistemi që garanton stabilitet afatgjatë.

Kësisoj, Kosova në NATO do të shmangte çfarëdo përpjekje të Serbisë apo faktorëve të tjerë për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin. Duke reduktuar mundësinë që veriu i Kosovës të mbetet vatër potenciale e përshkallëzimit, në të njëjtën kohë do të përçohej mesazhi i fuqishëm dhe i qartë se kufijtë, integriteti dhe sovraniteti i Kosovës janë të pacenueshëm.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO-n, do ta forconte vet Aleancën Veri-Atlantike. Një partner më shumë, më shumë siguri. Kosova ka bërë hapa konkretë në drejtim të plotësimit të standardeve, të cilat e ofrojnë me aleancën më të fortë ushtarake në botë.

Forca e Sigurisë së Kosovës po transformohet sipas standardeve të Aleancës dhe institucionet e saj bashkëpunojnë ngushtë me partnerët perëndimorë. Për dallim nga shumë vende të tjera që kërkojnë afrim me NATO-n për arsye pragmatike, Kosova e sheh Aleancën si pjesë të identitetit të saj strategjik.

Një nga argumentet më të forta në favor të anëtarësimit të Kosovës në NATO është transformimi i jashtëzakonshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë viteve të fundit. Në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit dhjetëvjeçar, FSK-ja ka kaluar nga një forcë me mandat kryesisht civil në një forcë moderne mbrojtëse, të organizuar dhe të trajnuar sipas standardeve të Aleancës Veri-Atlantike.

Investimet në sektorin e mbrojtjes janë rritur ndjeshëm, ndërsa Kosova ka ndërmarrë hapa konkretë për modernizimin e kapaciteteve të saj ushtarake. Në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë perëndimorë, FSK-ja është pajisur me sisteme moderne të lëvizshmërisë taktike, automjete të blinduara, sisteme të avancuara të komunikimit dhe pajisje të tjera që rrisin gatishmërinë operacionale dhe aftësinë mbrojtëse të vendit.

Veçanërisht i rëndësishëm ka qenë partneriteti me Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë luajtur rol kyç në trajnimin, profesionalizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të FSK-së. Programet e përbashkëta të stërvitjes, edukimi ushtarak në akademitë amerikane, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me Gardën Kombëtare të Iowa-s kanë kontribuar në krijimin e një force që sot operon sipas doktrinave dhe procedurave të NATO-s.

FSK-ja ka përfituar përvojë edhe nga pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare paqeruajtëse sikurse që është ai në Gaza, që ka derivuar nga anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes me ftesë të presidentin amerikan, Donald Trump.

Në këtë kuptim, me anëtarësim në NATO, Kosova nuk do të ishte vetëm përfituese e sigurisë kolektive, por edhe kontribuuese e saj.

Prandaj, propozimi i kongresistit Keith Self meriton vëmendje serioze në Uashington, Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve anëtare të NATO-s.

Ai paraqet saktë domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke përfillur arkitekturën e sotme të sigurisë dhe duke pas parasysh faktin se zonat gri të sigurisë nuk prodhojnë stabilitet, por pasiguri.

Kosova nuk po kërkon një favor, por vetëm vendin e merituar në familjen euroatlantike, sepse Kosova i përket NATO-s.

NATO-ja nuk duhet të lejojë që një nga partnerët e saj më të besueshëm, në një nga rajonet më të ndjeshme të Evropës, të mbetet ende jashtë Aleancës.

You Might Also Like

Vëllai vret vëllanë në Kavajë, dalin detajet e para
​Haradinaj: AAK nuk merr pjesë në Qeverinë Kurti, ai e do LDK-në si një material për kontroll total
Ministria hap deponitë sanitare për qytetarët – tarifë 10.31 euro për ton
Gjyqi i dytë ndaj Thaçit – gjyqtari shtyn fjalët përmbyllëse, vendimi në fundvit?
Ekstradohet nga Serbia në Maqedoni 19-vjeçari i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar

You Might Also Like

Një i ekstraduar nga Belgjika dhe një i arrestuar në Prishtinë i kërkuar nga INTERPOL
TOP Momenti

Një i ekstraduar nga Belgjika dhe një i arrestuar në Prishtinë i kërkuar nga INTERPOL

June 24, 2026
Haziri: LDK nuk është në ditët më të mira, synim i përbashkët është rikthimi si partia e parë
TOP Momenti

Haziri: LDK nuk është në ditët më të mira, synim i përbashkët është rikthimi si partia e parë

June 24, 2026
​Komandanti i Forcave Aleate për Evropë diskuton në Romë për “aktivitetet e NATO-s” në Kosovë
TOP Momenti

​Komandanti i Forcave Aleate për Evropë diskuton në Romë për “aktivitetet e NATO-s” në Kosovë

June 24, 2026
Shoqërohen në Polici katër persona, shkruan grafitin “Kosovska Mitrovica“
TOP Momenti

Shoqërohen në Polici katër persona, shkruan grafitin “Kosovska Mitrovica“

June 24, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?