Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) njofton se gjatë pasdites së sotme dhe ditës së hënë rreziku për zjarre në pyje do të jetë i lartë në disa qarqe të vendit, me nivelin më kritik që pritet gjatë ditës së nesërme.
Sipas parashikimit, niveli i rrezikut është i lartë në qarqet Lezhë, Durrës dhe Fier, ndërsa i moderuar në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër. Në qarqet Kukës, Dibër dhe Korçë rreziku mbetet i ulët, megjithëse në disa zona të Shkodrës, Tiranës, Elbasanit, Beratit dhe Vlorës pritet rrezik lokalisht i lartë.
Instituti bën të ditur se të hënën priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër dhe Kukës, si dhe reshje lokale të dobëta në Dibër, Lezhë, Elbasan, Berat, Korçë dhe Gjirokastër. Në qarqet e tjera nuk parashikohen reshje.
Temperaturat do të mbeten të larta, me vlera maksimale deri në 34°C në zonat e ulëta, 31°C në bregdet dhe 27°C në zonat malore. Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa herë pas here do të forcohet në zonat malore dhe përgjatë bregdetit.
Instituti i Gjeoshkencave u bën apel qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, duke qenë se kushtet meteorologjike favorizojnë përhapjen e tyre.

