Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se gjatë dy ditëve të ardhshme 456 pacientë onkologjikë, të cilët kanë aplikuar për ndihmë të njëhershme financiare, do t’i marrin mjetet në llogaritë e tyre transaksionale.
Sipas tij, për këtë masë gjithsej kanë aplikuar 1.200 pacientë, ndërsa përpunimi i dokumentacionit është në vazhdim.
„Nesër dhe gjatë ditës së ardhshme, 456 pacientë onkologjikë që aplikuan për ndihmë të njëhershme financiare do t’i marrin mjetet në llogaritë e tyre. Dokumentacioni për të gjithë të tjerët po përpunohet me përkushtim maksimal dhe përgjegjësi, ndërsa pagesa për të gjithë ata që kanë aplikuar do të përfundojë gjatë javës së ardhshme“, publikoi Gjorgjievski.
Ai theksoi se qëllimi i kësaj mase është të sigurohet mbështetje konkrete për personat që përballen me gjendje të rëndë shëndetësore.
„Detyrimi ynë është të jemi pranë bashkëqytetarëve tanë, jo vetëm me fjalë, por edhe me ndihmë konkrete, kujdes dhe humanitet“, tha Gjorgjievski.

