Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar të mërkurën një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime, si përfshirë caktimin e kompensimit mujor për anëtarët e Bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)”.
Po ashtu, është miratuar dhënia në shfrytëzim e një parcele prej 999 metrash katrorë në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës, për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë.
Në mbledhje janë miratuar edhe kërkesa për transferimin e mjeteve financiare. Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës i janë transferuar 4.33 milionë euro për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale, ndërsa Ministrisë së Punëve të Brendshme një milion euro për mbulimin e shpenzimeve operative. Komunës së Podujevës i janë transferuar 300 mijë euro për mbulimin e obligimeve kontraktuale.
Qeveria në detyrë ka nominuar gjithashtu tre përfaqësues të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete.
Komunikata e plotë:
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka:
– Miratuar vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit mujor të anëtarëve të Bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)” Sh. A.
– Miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim të hapësirës, Parcela Kadastrale P-9012-0, me sipërfaqe prej 999 m², të cilat janë në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë.
– Miratuar Kërkesën e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, për transfer të mjeteve në shumë prej 4,333,900€ (katër milionë e treqind e tridhjetë e tre mijë e nëntëqind euro), deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht, për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.
– Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për transferim të mjeteve në shumë prej 1,000,000.00€ (një milion euro), deri nën 20.68% të ndarjes së ndikuar negativisht, për mbulimin e obligimeve që kanë të bëjnë me shpenzime operative.
– Miratuar Kërkesën e Komunës së Podujevës për transferimin e mjeteve, në shumën prej 300,000.00€ (treqind mijë euro), që përbën deri në 18.18% të ndarjes së ndikuar negativisht, për mbulimin e obligimeve kontraktuale.
– Miratuar vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës i nominon tre (3) përfaqësues të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete.
The post Qeveria në detyrë mban mbledhje elektronike, këto vendime i morën appeared first on Gazeta Express.

