Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është intervistuar për disa orë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në kuadër të veprimeve hetimore.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka konfirmuar për media se Aliu është intervistuar lidhur me dyshimet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se i pandehuri L.A. është intervistuar në kuadër të veprimeve hetimore, lidhur me veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’. Për shkak të fazës së procedurës nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, ka deklaruar Luta.
Pas daljes nga Prokuroria, Aliu nuk ka dhënë detaje për arsyen e ftesës, por ka thënë se ndihet i lehtësuar që ka pasur mundësinë të japë sqarimet e tij.
Ai ka deklaruar se deri tani ka zgjedhur të mbrohet në heshtje për të gjitha çështjet dhe akuzat që lidhen me periudhën kur ka shërbyer si ministër në Qeverinë e Albin Kurtit.

