Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, deklaroi se Kroacia mbështet rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe bëri thirrje për reformimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Plenkoviç foli për luftën në Ukrainë, situatën në Lindjen e Mesme, Bosnjë e Hercegovinën, si dhe për ceremoninë e fundit të përcjelljes së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiç, në Serbi.
Duke folur për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ai tha se Evropa Juglindore mbetet një pjesë e papërfunduar e projektit evropian. Sipas tij, Kroacia vazhdon të mbështesë zgjerimin mbi bazën e meritave, por transformimi evropian kërkon një përballje të sinqertë me të kaluarën.
“Pajtimi bëhet i mundur kur pranohet përgjegjësia për krimet e së kaluarës dhe kur refuzohet glorifikimi i tyre. Ky standard nuk lejon përjashtime kombëtare”, tha Plenkoviç, duke iu referuar ceremonisë së fundit për Mlladiqin në Beograd, ku ai u përcoll me nderime shtetërore.
Plenkoviç e cilësoi Mlladiqin si kriminel lufte të dënuar për gjenocidin në Srebrenicë, të cilin e përshkroi si gjenocidin e parë në Evropë pas Holokaustit.
Ai shtoi se veprimtaria kriminale e Mlladiqit ishte shtrirë edhe në Kroaci, duke përmendur granatimin e qyteteve, vrasjen e civilëve, minimin e digave dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe objekteve industriale.
“Nderimet ushtarake dhe zyrtare që iu dhanë Mlladiqit në Serbi ishin fyerje për viktimat e tij dhe për aktgjykimet e gjykatave ndërkombëtare”, deklaroi kryeministri kroat.
Sipas tij, pjesëmarrja e përfaqësuesve të shtetit dhe miratimi publik që shoqëroi ceremoninë janë në kundërshtim të plotë me vlerat e Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit Serbia synon të bëhet.
The post Plenkoviç në OKB: Nderimet për Mlladiqin ishin fyerje për viktimat dhe aktgjykimet ndërkombëtare appeared first on Gazeta Express.

