Qyteti ukrainas i Pavlohradit sot ka shpallë ditë zie, pasi një sulm rus të enjten vrau pesë persona. Ndërkohë, edhe dy persona të tjerë u vranë dhe gjithsej 79 u plagosën në rajonin më të gjerë të Dnipropetrovskut.
“Ky është një tjetër krim i Rusisë kundër njerëzve paqësorë. Kundër njerëzve që jetonin, punonin dhe rrisnin fëmijët e tyre. Sulmet ruse sjellin vdekje dhe shkatërrim në qytetet dhe fshatrat tona”, tha guvernatori i Dnipropetrovskut, Oleksandr Hanzha.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se “Rusia po sulmon sistematikisht vende ku e di se njerëzit kalojnë kohën duke kryer aktivitetet e tyre të përditshme, duke synuar të shkaktojë sa më shumë viktima, të përhapë frikë dhe të ushtrojë presion mbi shoqërinë ukrainase”.
“Kjo është një taktikë shtrëngimi. Rusia beson se sulmet e pandërprera ndaj civilëve mund t’i rraskapitin ukrainasit dhe ta detyrojnë Ukrainën të bëjë lëshime”, tha ai.
Reuters raportoi se një sulm i veçantë ndaj një pike karburanti në Kiev dhe një objekti të një biznesi bujqësor në qytetin juglindor të Dnipros i janë shtuar fushatës ajrore të intensifikuar të Rusisë gjatë javëve të fundit.
Kryeministri ukrainas, Sergii Koretskyi, tha se sulmet ruse ndaj bizneseve dhe infrastrukturës civile po “rriten me shpejtësi” dhe i bëri thirrje qeverisë që “të reagojë dhe të veprojë paraprakisht”.
The post Pesë të vrarë nga sulmet ruse, qyteti ukrainas shpall ditë zie appeared first on Gazeta Express.

