Të paktën 624 ushtarakë amerikanë janë plagosur që kur Presidenti Donald Trump urdhëroi sulmet ajrore kundër Iranit në shkurt, sipas përditësimit më të fundit të Pentagonit më 25 korrik.
Prej tyre, 417 lidhen me Operacionin Epic Fury, ndërsa 207 me “Operacionet Jashtë Shtetit”.
Pentagoni rishikoi së fundmi statistikat e viktimave, duke zhvendosur katër vdekje nga Operacioni Epic Fury te “Operacionet Jashtë Shtetit” pa dhënë shpjegime.
Ndryshimet në numrin e të plagosurve dhe të vrarëve u kritikuan për mungesë transparence.
“Administrata duket se e ka shumë të vështirë të jetë e sinqertë në lidhje me atë që po ndodh – jo vetëm për viktimat, por për të gjithë luftën në përgjithësi”, tha gjenerallejtënant Ben Hodges, citon BBC.
Kongresmeni republikan Thomas Massie e quajti ndarjen e viktimave në kategori një “mashtrim absurd”.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha se ndryshimet ishin pasojë e “ndërprerje të përkohshme të të dhënave”, duke shtuar se “Këto anomali në vend po zgjidhen aktualisht në koordinim me Shërbimet Ushtarake.”
Katër vdekjet e riklasifikuara duket se i përkasin ushtarëve amerikanë të vrarë në korrik, pasi luftimet rifilluan. Tre u vranë në një sulm me raketa në një bazë në Jordani, ndërsa një tjetër në Irak gjatë një shpërthimi të kontrolluar të një droni iranian.

