Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të vizitojë në tetor vendet e Ballkanit Perëndimor që janë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse vizita e saj do të përfshijë edhe Serbinë.
Çështja e marrëdhënieve mes Serbisë dhe BE-së është rikthyer në fokus pas vendimit të autoriteteve në Beograd për të organizuar ceremoninë mortore për kriminelin e luftës, Ratko Mladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Brukseli ka reaguar ndaj mënyrës se si Mladiqi është nderuar në Serbi, përfshirë dërgimin e një avioni qeveritar për transportimin e trupit të tij. Megjithatë, përveç anulimit të vizitës së planifikuar në Beograd nga Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, nuk ka pasur deri tani masa të tjera konkrete.
Ndërkohë, Von der Leyen ende nuk ka vendosur nëse do ta vizitojë Serbinë. Këtë e bëri të ditur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho.
“Presidentja do të vizitojë Ballkanin Perëndimor në tetor, siç bën çdo vit. Programi i vizitës është ende duke u finalizuar, ndaj nuk mund të jap detaje nëse të gjitha vendet do të përfshihen. Po punojmë për këtë”, deklaroi Pinho.
Megjithatë, deklaratat e saj për ceremoninë mortore të Mladiqit kanë shkaktuar reagime, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Dëgjuam se ishte planifikuar një funeral me nderime shtetërore, por kjo nuk ndodhi”, tha Pinho.
Kjo deklaratë është kritikuar për faktin se në ceremoninë mortore morën pjesë pesë ministra të qeverisë serbe, ndërsa Mladiqi u përcoll me nderime të larta ushtarake.
The post Pas nderimeve për Mladiqin, mbetet e paqartë nëse Von der Leyen do të vizitojë Serbinë appeared first on Gazeta Express.

