Asociacioni i Komunave të Kosovës sot do të mbajë protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Protesta do të nisë në ora 11:00, ndërsa ditë më parë u tha se kjo protestë mbahet për të kundërshtuar ndërhyrjet e nivelit qendror në kompetencat e komunave, obligimet financiare dhe mungesën e mbështetjes institucionale.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe njëherësh kryetar i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se protesta do të mbahet në orën 11:00 dhe do të jetë paqësore, jopartiake dhe me karakter institucional.
01/09/2026 09:50- Aliu: Komunat prej një kohe të gjatë po përballen me obligime financiare të krijuara nga niveli qendror
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherësh kryetar i Ferizajt, Agim Aliu në një konferencë të mbajtur të shtunën theksoi se protesta e 1 shtatorit në Prishtinë mbahet për të kundërshtuar ndërhyrjet e nivelit qendror në kompetencat e komunave, obligimet financiare dhe mungesën e mbështetjes institucionale.
Ai tha se komunat nuk po kërkojnë privilegje, por respektimin e ligjeve dhe kompetencave që u takojnë.
Aliu tha se komunat prej një kohe të gjatë po përballen me obligime financiare të krijuara nga niveli qendror.

