Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj kallëzimit penal të dorëzuar nga LSDM kundër ministrit, Sasho Klekovskit.
Nga atje thonë se Ministria e Shëndetësisë e respekton të drejtën ligjore të çdo personi për të paraqitur kallëzim nëse vlerëson se ka bazë për këtë.
“Njëkohësisht, presim që institucionet kompetente t’i shqyrtojnë të gjitha pretendimet në mënyrë profesionale, të plotë dhe të paanshme.
Prokuroria Themelore Publike tashmë po vepron lidhur me rastin. Ministria dhe të gjitha institucionet shëndetësore kompetente do të bashkëpunojnë plotësisht dhe, pa vonesë, do të dorëzojnë çdo informacion, analizë dhe dokumentacion të kërkuar.
Në Gostivar, sistemi shëndetësor reagoi në kohë, pacientët morën kujdesin e duhur shëndetësor, ndërsa publiku u informua për situatën. Shëndeti i qytetarëve nuk duhet të jetë objekt i përplasjeve të përditshme politike.
Prandaj, vlerësojmë se përpjekjet e LSDM-së për ta shndërruar rastin në temë partiake nuk kontribuojnë në përcaktimin e fakteve. Në vend të kualifikimeve politike dhe konferencave për shtyp, institucioneve kompetente duhet t’u mundësohet ta përfundojnë procedurën pa pengesa.
Ministria do të vazhdojë të punojë me transparencë dhe përgjegjësi. Prioritetet tona mbeten një sistem shëndetësor funksional, mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe zbardhja e plotë e fakteve në bazë të provave”, thonë nga MSH./Telegrafi/

