Rusia ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar se do të ketë “pasoja”, pasi u konfirmua se Ukraina ka përdorur dronë të prodhuar në Britani për të goditur objektiva në territorin rus.
Sipas Moskës, Londra po e shtyn me vetëdije përshkallëzimin e konfliktit, ndërsa angazhimi i saj në luftë po merr një karakter gjithnjë e më të drejtpërdrejtë.
Ambasada ruse në Mbretërinë e Bashkuar e akuzoi Londrën se po luan rolin e “bashkëpunëtores dhe bashkëkryesueses” në sulmet kundër Rusisë. Në deklaratën e saj thuhet se “veprimet e Londrës në mënyrë të pashmangshme do të sjellin pasoja për të cilat ajo do të duhet të përgjigjet”.
Autoritetet ruse paralajmëruan se përfshirja më e madhe e Britanisë në konflikt do të nënkuptojë edhe një “çmim” më të lartë për t’u paguar nga Londra.
Britania i hodhi poshtë shqetësimet e shprehura nga Moska duke rikonfirmuar mbështetjen për Ukrainën. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes britanike deklaroi se Londra qëndron “krah për krah” me Kievin dhe se Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim mbi vendosmërinë e qeverisë britanike për t’iu kundërvënë agresionit rus. Ai shtoi se Britania do të vazhdojë t’i sigurojë Ukrainës pajisjet e nevojshme për t’u mbrojtur nga pushtimi rus.
BBC raportoi se dronët janë prodhuar nga dy kompani britanike dhe se Ukraina i ka përdorur në operacione brenda Rusisë. Objektivat e sulmeve përfshinin infrastruktura ushtarake e industriale, rafineri nafte dhe qendra logjistike të kompanisë ruse të shitjeve online Wildberries.
Një burim ushtarak konfirmoi përdorimin e dronëve britanikë në këto operacione dhe tha se dëmet ekonomike të shkaktuara nga sulmet ukrainase në Rusi llogariten në më shumë se 35 miliardë paund.
Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, deklaroi se në sulmet ndaj territorit rus janë përdorur dronë me komponentë dhe konfigurime britanike. Ajo përmendi ndër objektivat edhe një depo karburanti në rajonin e Rostovit.
Ky qëndrim i Moskës u bë publik pas një serie të re sulmesh ajrore me dronë. Zyrtarët rusë thanë se gjatë natës rreth 620 dronë u nisën drejt rajonit të Moskës, ndërsa mbrojtja ajrore ruse pretendoi se kishte shkatërruar më shumë se 180 prej tyre.
Sipas autoriteteve ruse, një sulm i regjistruar një natë më herët shkaktoi 9 viktima dhe 23 të plagosur, mes të cilëve edhe një fëmijë.
Ndërkohë, Ukraina dyshohet se lëshoi të shtunën rreth 822 dronë në drejtim të Rusisë, ku 600 prej tyre kishin si destinacion Moskën. Autoritetet ruse raportuan se këto sulme lanë 7 viktima.
Në të njëjtën natë, sulmet ruse ndaj Ukrainës shkaktuan të paktën 7 të vrarë dhe më shumë se 39 të plagosur.
Mbretëria e Bashkuar ka zgjeruar ndërkohë mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën. Në prill, Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi një paketë ndihme që përfshin dhjetëra mijëra dronë, përfshirë edhe pajisje sulmi me rreze të gjatë veprimi.
The post Moska i dërgon paralajmërim Londrës për përdorimin e dronëve britanikë në sulmet brenda Rusisë appeared first on Gazeta Express.

