Kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, Bardhyl Mahmuti ka thënë se është plotësuar pika e cila në bazë të Kushtetutës, Kosova duhet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.
Sipas Mahmutit, nuk duhet të pritet vendimi i instancës së Apelit por të shpallet menjëherë sepse sipas tij me anë të vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrezikohet Pavarësia e shtetit tonë
“Neni 133 i Kushtetutës së Kosovës e përcakton se në rastet kur cenohet rendi kushtetues, mund të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Pika e dytë që është rreziku i brendshëm ndaj rendit kushtetutes të sigurisë, kjo është pika që është përmbushur në këtë rast. Dhomat e Specializuara me atë vendim rrezikon nga brenda rendin kushtetues dhe kjo hap mundësinë t’i ushqejë të gjitha forcat luftënxitëse në rajon për të sulmuar Kosovën”, ka thënë Mahmuti në emisionin “Konfront” në KTV.
Tutje Mahmuti ka thënë se nëse edhe me vendimin përfundimtar do të cilësohet që për realizimin e Pavarësisë së Kosovës janë përdorur veprime kriminale, atëherë Kosova hyn në mesin e shteteve që është shpallur i pavarur në bazë të kriminalitetit.
“Qëllimi është kriminalizimi i luftës tonë dhe realizimit të Pavarësisë së Kosovës, si rezultat vjen ajo. Nëse kriminalizohet kjo, nëse vjen vendimi përfundimtar që të cilësohet se për realizimin e qëllimit janë përdorë mjetet kriminale, praktikisht hyjmë në kuadër të atyre shteteve që janë shpallur të pavarura në bazën e kriminalitetit dhe për këtë nuk kemi të drejtë me të Drejtën Ndërkombëtare. Prandaj do të kërkohet një shikim i tërësishëm dhe nga ai moment mund të ketë tërheqje të njohjeve të Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Mahmuti
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do t’u nënshtrohen procedurave të shkallës së dytë për të kundërshtuar vendimin dënues për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Rregullorja e Procedurave dhe Provave të DHSK-së parasheh se palët e pakënaqura me aktgjykimin mund të dorëzojnë njoftimin me pikat që duan të apelojnë brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit.
Ndërsa brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel do të mbahet konferenca që palët të ngrenë çështjet që do t’i kundërshtojnë.
Sipas procedurave, apeluesi dorëzon dosjen ku parashtron të gjitha argumentet dhe burimet ligjore në të cilat mbështetet. Ky dorëzim i dokumentacionit duhet të bëhet brenda 60 ditësh nga njoftimi për apel. Ndërsa, në rastet kur apelimi lidhet vetëm me dënimin, dosja duhet të dorëzohet brenda 30 ditësh nga njoftimi për apel.
Katër skenarët që mund të karakterizojnë përfundimin e procedurave të Apelit janë: të konfirmojë vendimin e shkallës së parë, ta ndryshojë atë, të ndërhyjë në ndonjë pjesë apo konstatim ose edhe ta kthejë çështjen në rigjykim.
The post Mahmuti: Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, rrezikohet Pavarësia e Kosovës appeared first on Gazeta Express.

