Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetje për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke kritikuar themelimin e Gjykatës Speciale dhe ata që votuan për krijimin e saj.
Në një deklaratë të publikuar të premten, LVV ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës ishte “dëmi më i madh” që, sipas saj, i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.
Sipas Vetëvendosjes, Gjykata Speciale ka krijuar një rend të veçantë gjyqësor me fokus ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa Serbia dhe institucionet e saj përgjegjëse për krime gjatë luftës në Kosovë kanë mbetur jashtë këtij procesi.
LVV ka kundërshtuar edhe mënyrën se si, sipas saj, është krijuar kjo gjykatë, duke e lidhur zanafillën e saj me një nismë në Këshillin e Evropës në vitin 2008, e cila çoi në raportin e Dick Martyt.
“Zanafilla e kësaj gjykate ishte politike dhe antishqiptare”, ka deklaruar LVV, duke pretenduar se akuzat për trafikim organesh, të cilat ishin pjesë e debatit fillestar, shërbyen për të dëmtuar imazhin e luftës së UÇK-së dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të gjykatës.
Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar edhe argumentin e përdorur në atë kohë se Kosova duhej ta miratonte Gjykatën Speciale për të shmangur mundësinë e krijimit të një gjykate nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
Sipas saj, ndryshimi i Kushtetutës për themelimin e gjykatës është bërë nën trysni dhe ka cenuar sovranitetin e Kosovës.
LVV ka shprehur kritika edhe për paraburgimin shumëvjeçar të të akuzuarve në Hagë, duke thënë se kjo situatë është shndërruar në “dënim para aktgjykimit”, ndërsa ka ngritur shqetësime për largimin e të akuzuarve nga familjet dhe vendi.
Partia në pushtet ka argumentuar se përgjegjësia penale duhet të jetë individuale dhe drejtësia duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Në fund të deklaratës, LVV u ka bërë thirrje personave që votuan për themelimin e Gjykatës Speciale që të distancohen nga vota e tyre dhe, sipas saj, të pranojnë gabimin.
“Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, ka deklaruar LVV.
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin e 12 shtatorit, duke e cilësuar atë si protestë “për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”.
Ky mbulim ekskluziv nga Gjykata Speciale në Hagë mundësohet nga Edil Project Company.
