Shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës për Iranin dhe kërcënimet e tjera globale mes institucioneve amerikane, Kongresit dhe agjencive federale është ngadalësuar dhe, në disa raste, është ndërprerë përkohësisht gjatë mandatit të dytë të presidentit Donald Trump. Këtë e kanë bërë të ditur tetë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë, si dhe persona të informuar për çështjen.

Ish-zyrtarë dhe ekspertë të jashtëm paralajmërojnë se këto ndërprerje rrezikojnë t’u japin vendimmarrësve amerikanë një pasqyrë jo të plotë të kërcënimeve ndaj vendit. Ata e krahasojnë situatën me mangësitë e inteligjencës që u zbuluan pas sulmeve terroriste të Al-Kaedës më 11 shtator 2001.
Ngadalësimi i shkëmbimit të informacioneve po ndodh në një kohë kur administrata amerikane po shqyrton mundësinë e rifillimit të sulmeve ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit të së martës, transmeton Telegrafi.
Problemet u shfaqën gjatë kohës kur Tulsi Gabbard drejtonte Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI), në një periudhë tensionesh të thella mes këtij institucioni dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Sipas dy zyrtarëve amerikanë të njohur me çështjen, edhe pse tensionet janë zbutur pas dorëheqjes së Gabbardit në qershor, pasojat e përplasjes vazhdojnë të ndihen.
CIA ka ndërprerë bashkëpunimin në hartimin e vlerësimeve të përbashkëta me Këshillin Kombëtar të Inteligjencës (NIC), një njësi analitike brenda ODNI-së. Kjo ka reduktuar numrin e raporteve që përmbledhin vlerësimet e komunitetit të inteligjencës për çështje të rëndësishme, përfshirë Iranin, dhe që u shërbejnë vendimmarrësve amerikanë.
Gjithashtu, sipas dy personave të informuar për situatën, ligjvënësit dhe stafet e tyre mbetën përkohësisht pa qasje në raportet e inteligjencës nga zyra e Gabbardit në ditët pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Iran, në qershor 2025, si dhe pas kapjes së ish-presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, në janar 2026. Ekipi i Gabbardit kishte akuzuar ligjvënësit për rrjedhje të informacioneve në media.
Ndërprerjet në shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës nuk ishin raportuar më parë.
Zëdhënësja e CIA-s, Liz Lyons, deklaroi se agjencia “merr pjesë plotësisht” në procesin e përgatitjes së vlerësimeve të inteligjencës përmes Përmbledhjes Ditore Presidenciale, e cila udhëhiqet nga ODNI, si dhe përmes Këshillit Kombëtar të Inteligjencës.
Ndërkohë, katër ish-zyrtarë amerikanë thanë se disa ish-pjesëtarë të komunitetit të inteligjencës po punojnë në mënyrë dypartiake në Institutin Hoover të Universitetit Stanford për të hartuar plane që synojnë rindërtimin e këtij sektori në administratën e ardhshme.
“Të gjitha këto probleme po grumbullohen në një botë jashtëzakonisht komplekse, ku vendimmarrësit kanë nevojë për një pasqyrë më të thellë, më të nuancuar dhe më të integruar të zhvillimeve globale, por në fakt po marrin më pak informacion”, tha Beth Sanner, ish-zëvendësdrejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit.
Problemet brenda komunitetit të inteligjencës nisën vitin e kaluar, në kohën kur administrata ndërmori shkurtime të konsiderueshme në agjencitë e sigurisë kombëtare, përfshirë ODNI-në dhe CIA-n. Në të njëjtën kohë, Trump ndërmori hapa për të larguar ose për t’i lënë mënjanë zyrtarët që i konsideronte jolojalë.
Sipas dy ish-zyrtarëve dhe një zyrtari aktual amerikan, disa analistë që vazhdojnë të punojnë në agjencitë e inteligjencës tashmë tregohen të kujdesshëm që të mos hartojnë vlerësime që bien ndesh me qëndrimet e Shtëpisë së Bardhë, nga frika e ndëshkimit politik. Burimet nuk specifikuan se cilat tema po shmangen nga analistët.
“Analistët vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre, por kjo Shtëpi e Bardhë i ka bërë të parëndësishëm, sepse presidenti e trajton informacionin e padëshiruar si mungesë besnikërie”, tha Julia Curlee, ish-analiste e CIA-s, e cila pretendon se u shkarkua vitin e kaluar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Trumpit për shkak të identitetit të saj gjinor.
Situata u përkeqësua edhe nga ajo që zyrtarët e përshkruan si një nga përplasjet më të mëdha institucionale në tri dekadat e fundit mes dy prej agjencive më të rëndësishme amerikane: CIA-s dhe ODNI-së, e krijuar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Reuters kishte raportuar më herët për mosmarrëveshjet mes këtyre dy institucioneve.
Përplasjet nisën pasi zyra e Gabbardit ua revokoi lejet e sigurisë disa zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve të inteligjencës, rreth një vit më parë. Sipas tre ish-zyrtarëve, situata u përshkallëzua aq shumë sa shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, u detyrua të ndërhynte disa herë për të ulur tensionet.
Këshilli Kombëtar i Inteligjencës, i cili për dekada ka qenë një burim i rëndësishëm informacioni për zyrtarët dhe ligjvënësit që marrin vendime për politikën e jashtme, humbi një nga kontribuuesit kryesorë pasi CIA ndërpreu përfshirjen në hartimin e vlerësimeve të përbashkëta vitin e kaluar.
Këto raporte synojnë të bashkojnë vlerësimet e 18 agjencive të inteligjencës amerikane. Këshilli mbështetej veçanërisht në analizat e CIA-s për tema si Irani dhe Rusia.
Megjithëse CIA vazhdoi t’i shkëmbente informacionet me NIC-un dhe të bashkëpunonte në disa raporte, analistët e saj u përqendruan në hartimin e vlerësimeve të veçanta.
Sipas dy personave të njohur me çështjen, pas këtij ndryshimi, Këshilli Kombëtar i Inteligjencës, i cili gjithashtu u prek nga shkurtimet e stafit, e ngadalësoi përgatitjen e raporteve. Pesë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë thanë se asnjë nga vlerësimet e fundit nuk është përqendruar te lufta në Iran.
Në përgjigje të kërkesës për koment, një zyrtar i ODNI-së deklaroi se niveli i përgatitjes së vlerësimeve nga ky institucion ka mbetur afër “tendencave historike”.
“Edhe pse Tulsi nuk e shfrytëzoi NIC-un, drejtori Clayton ka dëshmuar se është një drejtues i mirë i komunitetit të inteligjencës dhe e njeh vlerën e këtij këshilli”, tha një zyrtar amerikan, duke iu referuar drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton.
Disa ish-zyrtarë të inteligjencës shprehin shqetësimin se po krijohen barriera të reja mes agjencive.
“Problemi është se, duke ndërmarrë veprime që dobësojnë institucionet ku bëhet koordinimi i mirëfilltë i komunitetit të inteligjencës, po krijohen grupe të izoluara, ku secili mund të zgjedhë se cilit grup dëshiron t’i besojë”, tha Morgan Muir, ish-zëvendësdrejtor i Inteligjencës Kombëtare gjatë administratës së Joe Bidenit, i cili kishte informuar edhe presidentin George W. Bush.
Sipas dy personave të informuar për çështjen dhe një ish-zyrtari amerikan, zyra e Gabbardit kishte ndërprerë gjithashtu informimet e Kongresit për kërcënimet ndaj zgjedhjeve gjatë vitit 2025.
Megjithatë, pas marrjes së detyrës në gusht, drejtori i ri i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, i ka rifilluar informimet për ligjvënësit lidhur me këto kërcënime.
“Drejtori Clayton mbetet i përkushtuar për të siguruar që ODNI dhe komuniteti i inteligjencës të kenë burimet e nevojshme për të vazhduar informimin e vendimmarrësve kryesorë të qeverisë amerikane dhe për të mbrojtur qytetarët”, thuhet në një deklaratë të ODNI-së për Reutersin.
Një tjetër përplasje mes agjencive ndodhi në fund të vitit të kaluar, kur FBI-ja ndërpreu për disa javë ndarjen e disa informacioneve me Qendrën Kombëtare Kundër Terrorizmit (NCTC).
Sipas dy ish-zyrtarëve, vendimi erdhi pasi drejtuesi i atëhershëm i qendrës, Joe Kent, dhe stafi i tij tentuan të hetonin të shtënat ndaj themeluesit të organizatës Turning Point USA, Charlie Kirk.
Drejtuesit e FBI-së i thanë Kentit se, sipas vlerësimit të tyre, NCTC-ja po tejkalonte kompetencat e veta. /Telegrafi/




