Qytetarët e Zvicrës po votojnë më 29 nëntor për ndryshimin e Ligjit për Materialet Ushtarake, i cili parasheh lehtësimin e eksportit të armëve zvicerane drejt vendeve partnere.

Çështja ka shkaktuar debat të gjerë politik dhe shoqëror, pasi përveç interesave ekonomike dhe industrisë së mbrojtjes, ngre pikëpyetje edhe për neutralitetin tradicional të vendit.
Sipas raportimit të mediumit zviceran Swissinfo, kjo është njëra prej çështjeve më të diskutueshme në votimin e 29 nëntorit, ndërsa deri në ditët e fundit para referendumit, dy kampet nuk kishin arritur të siguronin një shumicë të qartë në sondazhe.
Ndryshimet e propozuara parashohin që Zvicra të mund të eksportojë materiale ushtarake drejt 36 shteteve partnere, edhe në rastet kur këto vende janë të përfshira në konflikte të armatosura, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara me ligj.
Në mesin e këtyre shteteve janë vendet e Bashkimit Evropian, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia dhe Japonia, transmeton Telegrafi.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me ri-eksportimin e armëve. Sipas propozimit, blerësit nuk do të jenë më të detyruar në çdo rast të japin garanci se materialet ushtarake zvicerane nuk do t’u kalojnë shteteve të tjera.
Megjithatë, Qeveria Federale do të ruajë të drejtën të kërkojë garanci të tilla ose të bllokojë dërgesat për arsye të politikës së jashtme, neutralitetit dhe sigurisë.
Mbështetësit e reformës argumentojnë se industria zvicerane e mbrojtjes ka nevojë për rregulla më fleksibile për të ruajtur konkurrueshmërinë ndërkombëtare dhe për të garantuar furnizimin e ushtrisë me pajisje moderne.
Sipas tyre, kufizimet aktuale rrezikojnë të përjashtojnë kompanitë zvicerane nga zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit dhe të dobësojnë kapacitetet industriale të vendit.
Në anën tjetër, kundërshtarët e ndryshimeve paralajmërojnë se lehtësimi i eksporteve mund të dëmtojë neutralitetin dhe traditën humanitare të Zvicrës.
Ata shprehin shqetësimin se armët e prodhuara në këtë vend mund të përfundojnë në konflikte ndërkombëtare, duke e bërë më të vështirë kontrollin mbi përdorimin dhe destinacionin e tyre.
Referendumi u iniciua nga një koalicion ku bëjnë pjesë Partia Socialdemokrate, të Gjelbrit, Partia Popullore Evangjeliste dhe organizata për një Zvicër pa ushtri, të mbështetura edhe nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile.
Një çështje që mbetet e rëndësishme është Ukraina, transmeton Telegrafi.
Sipas rregullave të reja, dërgesat e drejtpërdrejta ose të tërthorta të armëve zvicerane drejt Ukrainës nuk do të lejohen, për shkak të kufizimeve që lidhen me neutralitetin dhe legjislacionin ndërkombëtar.
Debati për këtë reformë ka vënë përballë dy qëndrime: nevojën për forcimin e industrisë dhe kapaciteteve mbrojtëse të Zvicrës dhe ruajtjen e politikës tradicionale të neutralitetit, e cila për dekada ka qenë një prej elementeve kryesore të identitetit të shtetit zviceran./Telegrafi/





