Çmimet e prodhimit dhe të importit në Zvicër janë rritur gjatë muajit tetor, me produktet e naftës, naftën bruto dhe gazin natyror ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë zhvillim.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave e Zvicrës (BFS), indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimit dhe importit u rrit me 0.9 për qind në tetor 2026, krahasuar me muajin paraprak, duke arritur në 101.6 pikë, me dhjetorin e vitit 2025 si periudhë bazë (100 pikë).
Krahasuar me tetorin e vitit 2025, niveli i përgjithshëm i çmimeve për produktet vendase dhe ato të importuara shënoi po ashtu rritje prej 0.9 për qind, transmeton Telegrafi.
Rritja e indeksit të çmimeve të prodhimit, në raport me muajin shtator, u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i produkteve të naftës dhe materialeve për instalime elektrike.
Çmime më të larta u regjistruan gjithashtu për pajisjet dhe materialet mjekësore e dentare, makineritë, orët, pajisjet për shpërndarjen dhe ndërrimin elektrik, si dhe produktet metalike.
Ndërkaq, edhe indeksi i çmimeve të importit shënoi rritje në tetor, krahasuar me muajin paraprak. Shtrenjtimi ishte veçanërisht i theksuar te nafta bruto dhe gazi natyror, produktet e naftës, makineritë, pajisjet për përpunimin e të dhënave, si dhe produktet elektronike dhe optike.
Rritje të çmimeve u vërejtën edhe te pajisjet elektrike, produktet metalike, produktet ortopedike dhe protetike, mobiliet, metalet dhe produktet metalike gjysmë të gatshme.
Në anën tjetër, gjatë kësaj periudhe u regjistrua rënie e çmimeve për pajisjet dhe materialet mjekësore e dentare, si dhe për specialitetet farmaceutike.
Të dhënat janë publikuar më 13 nëntor 2026 nga Zyra Federale e Statistikave e Zvicrës (BFS), me seli në Neuchâtel./Telegrafi/





