Një zjarr ka përfshirë një pjesë të objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjakovë, në orët e para të mëngjesit të së hënës. Sipas njoftimit të Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjakovë, rasti është raportuar rreth orës 02:20 pas mesnatës, kur ekipet emergjente janë mobilizuar për të intervenuar në vendin e ngjarjes.

Zjarri kishte shpërthyer në një pjesë të depos që ndodhet në bodrumin e objektit shëndetësor, duke rrezikuar përhapjen edhe në hapësirat e tjera të QKMF-së. Falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve, flakët janë vënë nën kontroll, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe dëmet potencialisht më të mëdha.
“Falë reagimit të shpejtë dhe intervenimit profesional, zjarri është lokalizuar me kohë, duke parandaluar përhapjen e tij në pjesët e tjera të objektit dhe dëmet e mundshme më të mëdha”, thuhet në njoftimin e zjarrfikësve të Gjakovës.
Nga kjo njësi është konfirmuar se intervenimi ka përfunduar me sukses dhe se zjarri është lokalizuar pa u përhapur në pjesët e tjera të objektit.
Ndërkohë, ende nuk janë bërë të ditura rrethanat që kanë çuar në shpërthimin e zjarrit, si dhe vlera e dëmeve materiale të shkaktuara.
Në njoftimin zyrtar nuk është raportuar për persona të lënduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




