WhatsApp ka nisur të ofrojë për disa përdorues të versionit beta në Android mundësinë e ruajtjes së kopjeve rezervë të bisedave në hapësirën e vet cloud, ku të dhënat mbrohen me enkriptim nga skaji në skaj.

Sipas WABetaInfo, funksioni është vërejtur në versionin beta 2.26.46.4 të WhatsApp për Android. Përdoruesit që kanë qasje në këtë mundësi mund të zgjedhin mes hapësirës cloud të WhatsApp-it dhe Google Drive për ruajtjen e kopjeve të bisedave.
WhatsApp ofron 2 GB hapësirë falas, ndërsa përdoruesit mund të blejnë më shumë përmes abonimit WhatsApp Plus, i cili përfshin 100 GB hapësirë. Për ata që kanë nevojë për kapacitet edhe më të madh, përmes shërbimit Meta One mund të sigurohen deri në 4 TB.
Megjithatë, ekziston një kusht i rëndësishëm për abonimet. Nëse përdoruesi nuk e rinovon abonimin, WhatsApp do ta fshijë përgjithmonë kopjen rezervë pas katër muajsh, transmeton Telegrafi.
Një nga dallimet kryesore mes këtij shërbimi dhe alternativave ekzistuese lidhet me sigurinë. Kopjet rezervë të ruajtura në hapësirën cloud të WhatsApp-it janë të enkriptuara automatikisht nga skaji në skaj. Ndërkaq, kopjet në Google Drive për Android dhe iCloud për iOS nuk e kanë këtë mbrojtje të aktivizuar automatikisht, pasi enkriptimi është opsional.
Përdoruesit që dëshirojnë të mos përdorin enkriptimin duhet të zgjedhin sërish Google Drive ose iCloud, pasi mbrojtja me enkriptim është e detyrueshme për të gjitha të dhënat e ruajtura në hapësirën cloud të WhatsApp-it.
Për më shumë siguri, kopjet rezervë mund të mbrohen edhe përmes një çelësi kalimi (passkey), një fjalëkalimi ose një çelësi enkriptimi me 64 shifra.
WhatsApp kishte nisur testimin e këtij sistemi në Android në prill, ndërsa në korrik e kishte zgjeruar atë edhe në pajisjet iOS. Pas përfshirjes së disa përdoruesve të Android-it në fazën e re të testimit, pritet që funksioni të zgjerohet së shpejti edhe te përdoruesit beta në iOS, përpara se të bëhet i disponueshëm për të gjithë. /Telegrafi/





