Ish-kapiteni i Manchester Cityt, Kyle Walker, ka deklaruar se arritjet e lojtarëve të klubit nuk mund të fshihen, pavarësisht rezultatit të procesit ligjor lidhur me akuzat e Ligës Premier ndaj klubit.
Duke folur për “talkSPORT”, mbrojtësi i Burnleyt pranoi se situata “nuk duket aspak mirë”, por theksoi se nuk dëshiron të komentojë më shumë, për sa kohë që procesi ligjor është ende në zhvillim.
“Çfarëdo që të ndodhë, nuk mund të na i marrin ato, sepse ne i kemi përjetuar ato net”, deklaroi Walker, duke iu referuar trofeve që fitoi së bashku me ish-bashkëlojtarët e tij te Manchester City.
Walker iu bashkua Manchester Cityt nga Tottenham Hotspuri në vitin 2017 dhe qëndroi te klubi për më shumë se shtatë vjet.
Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi 18 trofe madhorë, përfshirë gjashtë tituj të Ligës Premier dhe një trofe të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/




