Regjistrimet e telefonatave emergjente pas ekzekutimit të dështuar të Christa Pike, 50-vjeçares së dënuar me vdekje në Tenesi të SHBA-së, kanë zbuluar konfuzionin mes shërbimeve të emergjencës dhe autoriteteve të burgut, duke vonuar ndërhyrjen mjekësore pasi gruaja mbijetoi edhe pas administrimit të dy dozave të substancës vdekjeprurëse.

Sipas regjistrimeve të siguruara nga Associated Press, telefonata e parë në numrin 911 u bë më 30 shtator, në orën 20:40, më shumë se një orë pas nisjes së procedurës së ekzekutimit me injeksion vdekjeprurës. Megjithatë, për shkak se telefonuesi nuk arriti të jepte kodin e kërkuar të verifikimit, autoritetet dyshuan se bëhej fjalë për një telefonatë të rreme.
Në orën 21:03, sipas Departamentit të Komunikimeve të Emergjencave, telefonata ishte konsideruar e rreme dhe se nuk kërkohej ndihmë mjekësore në burgun Riverbend.
Vetëm në orën 21:11, autoritetet e burgut konfirmuan se incidenti ishte i vërtetë dhe lejuan ekipet e shpëtimit të hynin në kompleksin e sigurisë së lartë. Një ambulancë dhe automjete zjarrfikëse mbërritën në ndërtesën ku ndodhej Pike rreth orës 21:14.
Christa Pike ishte dënuar me vdekje për vrasjen në vitin 1995 të shoqes së saj të klasës, Colleen Schlemmer. Në kohën e krimit, ajo ishte vetëm 18 vjeçe.
Protokolli i ekzekutimit në Tenesi parashikon administrimin e një doze të dytë pentobarbitali në rast se doza e parë nuk shkakton vdekjen e të dënuarit. Megjithatë, rregullat nuk përcaktojnë qartë procedurën që duhet ndjekur në rast se personi mbijeton edhe pas dozës së dytë.
Sipas informacionit të bërë publik, Pike humbi ndjenjat dhe nuk po merrte frymë normalisht pas injeksioneve. Gjendja e saj shëndetësore ishte aq e rëndë, sa avokatët kishin shprehur shqetësimin se ajo mund të mos mbijetonte. Megjithatë, 50-vjeçarja rifitoi vetëdijen, nisi të fliste me vështirësi dhe arriti të ecte me ndihmë. Më pas, ajo u lirua nga spitali dhe u kthye në burgun e grave, ku kishte vuajtur dënimin për rreth 30 vjet, transmeton Klankosova.tv.
Publikimi i regjistrimeve të telefonatave ka shtuar pikëpyetjet mbi mënyrën se si u menaxhua situata dhe mbi përgjegjësinë e autoriteteve për vonesën në ofrimin e ndihmës mjekësore.




