Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të martë, më 13 tetor 2026, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve, të cilët dyshohen për shpëlarje parash në vlerë prej 372 mijë eurosh.

Në bankën e të akuzuarve janë Sulejman Elmazi, Sulejman Ozen dhe Ali Sahan, emra këta që Gazeta Sinjali i kishte publikuar ekskluzivisht pas arrestimit të tyre në shkurt të vitit 2025, gjatë një aksioni të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike.
Gazeta Sinjali ka përcjellë nga afër seancën e sotme, ku ka dëshmuar eksperti financiar, ndërsa në fokus të shqyrtimit ishte ekspertiza financiare dhe shuma prej 372 mijë eurosh që ndërlidhet me dyshimet për shpëlarje parash.
Gjatë seancës është ngritur edhe çështja e një shume prej mbi 100 mijë eurosh, e cila, sipas asaj që u diskutua në gjykatë, nuk ishte përfshirë në ekspertizën financiare.
Eksperti financiar është përballur me pyetje lidhur me këtë çështje, ndërsa është përmendur edhe nevoja për një rishikim të ekspertizës.
Rasti kishte nisur më 20 shkurt 2025, kur Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kishte zhvilluar një operacion policor në tri lokacione të ndryshme në Prishtinë.
Operacioni kishte rezultuar me arrestimin e tre personave, dy shtetas të Turqisë dhe një shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit të atëhershëm të Policisë së Kosovës, të dyshuarit dyshohej se, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishin keqpërdorur kartela bankare të shtetasve të huaj dhe terminale POS të bankave vendore.
Në atë kohë, Policia kishte bërë të ditur se rasti po hetohej për veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.
Gjatë bastisjeve, në cilësi të provave materiale, ishin sekuestruar terminale POS, kartela bankare, një kartelë bankare e modifikuar, para të gatshme, kartela SIM, vula me mbishkrime të bizneseve, kompjuterë, telefona mobilë, si dhe dokumentacion i ndryshëm, përfshirë fatura dhe kuponë fiskalë.
Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit ishin ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet kishin vazhduar.
Një ditë pas aksionit, më 21 shkurt 2025, Gazeta Sinjali kishte zbuluar ekskluzivisht identitetet e personave të arrestuar.
Tashmë, më shumë se një vit e gjysmë pas operacionit policor, rasti është duke u trajtuar në gjykatë, ku dëshmia e ekspertit financiar dhe shqyrtimi i transaksioneve financiare janë pjesë e procesit gjyqësor.
Dyshimet për shpëlarjen e 372 mijë eurove mbeten objekt i shqyrtimit gjyqësor dhe nuk përbëjnë konstatim përfundimtar të fajësisë së të akuzuarve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post LEX | Nga aksioni i Krimeve Kibernetike në bankën e të akuzuarve – 372 mijë euro nën dyshimet për shpëlarje parash, dëshmon eksperti financiar appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




