Toyota po përgatit një automjet të ri elektrik me teknologji të autonomisë së zgjatur, i cili pritet të mund të përshkojë deri në 1.000 kilometra me një mbushje të baterisë dhe ndihmën e një motori me benzinë që funksionon si gjenerator.

Automjeti i ri po zhvillohet nga ndërmarrja e përbashkët GAC Toyota, ndërsa sipas raportimeve të mediave kineze, bëhet fjalë për një version të ri të modelit Toyota Highlander.
Ndryshe nga veturat hibride plug-in, në këtë model rrotat do të vihen në lëvizje vetëm nga motorët elektrikë. Motori me benzinë nuk do të lidhet drejtpërdrejt me rrotat, por do të shërbejë për prodhimin e energjisë elektrike dhe rimbushjen e baterisë gjatë udhëtimit.
SUV-i i ri pritet të ketë hapësirë për shtatë udhëtarë dhe të pajiset me një motor 1.5 litra me benzinë dhe turbo, i cili do të funksionojë si gjenerator.
Me energjinë e baterisë, automjeti pritet të përshkojë rreth 150 kilometra pa aktivizimin e motorit me benzinë. Pas kësaj distance, gjeneratori do të nisë prodhimin e energjisë për të mundësuar vazhdimin e udhëtimit.
Toyota, e njohur për zhvillimin e teknologjisë hibride, po synon kështu të zgjerojë ofertën e saj edhe në segmentin e automjeteve elektrike me autonomi të zgjatur, një teknologji që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në tregun kinez.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





