Vetërregullimi si domosdoshmëri përballë sfidave me mediat online, rrjetet sociale dhe AI-në

Vetërregullimi si domosdoshmëri përballë sfidave me mediat online, rrjetet sociale dhe AI-në

Vetërregullimi si domosdoshmëri përballë sfidave me mediat online, rrjetet sociale dhe AI-në

Pa vetërregullimin, media mund të jetë e shpejtë, agresive dhe shumë e klikuar. Por, nuk është domosdoshmërisht gazetari – interes i publikut.. Pa këtë dallim, kemi vetëm më shumë zhurmë.

Sponsor 3M Express

Shkruan: Visar Duriqi

Në Kosovë lajmi shpesh garon me lajmin. Portali me portalin. Titulli me titullin. Shpejtësia me shpejtësinë. Në këtë garë, ajo që humbet e para është zakonisht ajo që nuk duket në ekran: verifikimi, konteksti, përgjegjësia dhe dinjiteti i personit për të cilin raportohet. Kjo është arsyeja pse Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës nuk mund të trajtohet si dokument që qëndron në një sirtar të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), për t’u hapur vetëm kur vjen një ankesë. Kodi është marrëveshja minimale që e bën dallimin ndërmjet gazetarisë dhe zhurmës. Është kufiri që e ndalon një media ta shesë hamendjen si fakt, kopjimin si punë, hakmarrjen si opinion dhe manipulimin si informim.

Vetë Kodi është i qartë: ai vlen për gazetat, mediat online, portalet, agjencitë dhe videot e publikuara prej tyre. Ai u kërkon gazetarëve dhe redaktorëve të respektojnë të drejtën e publikut për informim të plotë e në kohë, ndërsa pronarëve dhe botuesve u kërkon ta sigurojnë zbatimin e këtyre rregullave.

Interneti nuk e ka ndryshuar përgjegjësinë e medias. Ka ndryshuar vetëm shpejtësinë e publikimit dhe masën e dëmit kur publikohet një gabim. Një lajm i pasaktë nuk zhduket, sepse redaksia e korrigjon pas dy orësh. Screenshot-i mbetet, postimi shpërndahet dhe videoja riciklohet. Në epokën digjitale, korrigjimi është detyrim profesional.

Shpejtësia nuk e zëvendëson verifikimin

Kodi kërkon respektimin e të vërtetës faktike, përdorimin e burimeve të identifikueshme dhe dallimin e qartë ndërmjet lajmit dhe opinionit. Kërkon edhe praktika të qarta për identifikimin e burimit të parë dhe verifikimin e fakteve para publikimit. Kjo don të thotë se një postim në Facebook nuk është automatikisht burim, një deklaratë politike nuk është automatikisht fakt dhe një dokument në WhatsApp nuk është automatikisht autentik. Gazetaria nuk është garë se kush e kopjon i pari gabimin. Është punë për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe çfarë prove ekziston.

Këtu hyn edhe e drejta për t’u përgjigjur. Në raportimet për çështje kundërthënëse, Kodi kërkon që të dëgjohen të gjitha palët dhe që redaksia të bëjë përpjekje reale për t’i kontaktuar ato. Nëse një palë refuzon, kjo duhet të thuhet në artikull.
Këtu po e shfaq edhe unë pak “zhurmën” time të vogël, ashtu si dhe në mbledhjet e Kuvendit të KMSHK-së. E drejta për përgjigje, sipas meje, nuk duhet të kthehet në ritual mekanik, ku gazetari kërkon koment edhe për atë që tashmë është thënë qartë në një dokument publik.

Nëse po raporton për një tender dhe vendimi për dhënien e kontratës është i publikuar, ai dokument është vendim dhe komunikim zyrtar. Nuk ka kuptim t’i kërkohet zyrës së prokurimit ta komentojë sërish.

E njëjta vlen edhe për një status publik. Nëse një person e ka bërë publike një deklaratë, media mund ta raportojë atë duke ruajtur saktësinë dhe kontekstin. Nuk është e domosdoshme të kërkohet koment i dytë vetëm për ta pyetur nëse ende e mendon atë që sapo e ka shkruar.
Përjashtim bëjnë rastet kur raportimi nxjerr pretendime, pasoja ose rrethana të reja që kërkojnë sqarim. Aty kontakti me palën nuk është dekor, por detyrim.

Pra, standardi nuk është “pyet gjithmonë, pavarësisht rrethanave”. Standardi është: dëgjo palët kur ka çështje që kërkojnë përgjigje, verifiko dokumentet që janë burim i drejtpërdrejtë dhe mos e përdor etikën si formular automatik. Një media që nuk kërkon përgjigje kur duhet, po tregon nxitim; ajo që kërkon përgjigje kot, po bën zhurmë procedurale.

Rrjetet sociale nuk janë redaksi – janë turma

Rrjetet sociale janë hapësira ku mund të gjenden pista dhe dëshmi, por edhe profile të rreme, video të montuara, fotografi jashtë kontekstit, akuza anonime dhe fushata linçuese. Media duhet të bëjë dallimin ndërmjet asaj që qarkullon në rrjet dhe asaj që mund të përdoret si informacion i verifikuar. Përndryshe, redaksia shndërrohet në megafon të turmës. Turma nuk ka përgjegjësi editoriale. Media ka.

Kodi ndalon nxitjen e urrejtjes, diskriminimin dhe promovimin e dhunës edhe në opinione e komente. Liria e shprehjes nuk është liri për të shpifur. Kritika nuk është linçim. Satira nuk është mburojë për një gënjeshtër, përjashtimisht në “stand up”, por atë e bën mirë veç një gazetar: Valon Syla.

AI nuk e ka marrë përgjegjësinë nga redaktori

Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë në transkriptim, përkthim, kërkim dhe analizë të të dhënave. Por mund të prodhojë edhe citate që nuk janë thënë, burime që nuk ekzistojnë dhe fotografi që nuk janë bërë. Kodi i KMShK-së e përcakton qartë se përmbajtja e krijuar me ndihmën e AI-së mbetet nën përgjegjësinë editoriale të medias. Publiku duhet të informohet se ku dhe çfarë lloj AI-je është përdorur. Duhet të respektohen privatësia, siguria e informacionit, mosdiskriminimi dhe të drejtat e autorit.

Udhëzuesi i KMShK-së e përmbledh parimin: teknologjia mund ta ndihmojë gazetarinë, por nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë njerëzore. Përmbajtjet duhet të verifikohen dhe të mbikëqyren nga redaktorët.

Ka gazetarë që e shohin vetërregullimin si pengesë. Në fakt, Kodi e mbron gazetarin nga presioni i pushtetit, por edhe nga turma që kërkon një viktimë. Ai kërkon transparencë për pronësinë, ndalon konfliktin e interesit, si dhe kërkon ndarjen e qartë të reklamës nga përmbajtja editoriale. Këto nuk janë pengesa për gazetarinë kritike. Janë kushtet që e bëjnë kritikën të besueshme.

Në fund, pyetja nuk është nëse Kodi është perfekt, sepse dihet që nuk është. Pyetja është nëse duam që mediat në Kosovë të udhëhiqen nga standardet apo nga impulsi i klikimit. Dhe, më e rëndësishmja: a duam vetërregulllim apo të na rregullojë shteti, rrjedhimisht politika, e praktikisht turma – votuesit, që rëndom votojnë se kush e ka propagandën më të mirë?

Nëse përgjigjja është standardi, atëherë Kodi duhet të lexohet para publikimit, jo pas ankesës. Duhet të diskutohet në redaksi dhe të zbatohet njësoj ndaj lajmit, videos, titullit, postimit në Facebook dhe përmbajtjes së prodhuar me AI.

Sepse, pa vetërregullimin, media mund të jetë e shpejtë, agresive dhe shumë e klikuar. Por nuk është domosdoshmërisht gazetari – interes i publikut.. Pa këtë dallim, kemi vetëm më shumë zhurmë.

(Autori është kryeredaktor i medias online Insajderi. Artikulli është shkruar për KMShK-në në kuadër të projektit të UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore: Mbështetje për gazetarinë si e mirë publike”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë ekskluzivisht të KMShK-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e UNESCO-s dhe të Bashkimit Evropian)

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Real Madridi nis kërkimin për pasardhësin e Courtois, tre portierë në listën e dëshirave

Real Madridi nis kërkimin për pasardhësin e Courtois, tre portierë në listën e dëshirave

Këngëtari Ardit Gjebrea paraqitet në SPAK

Këngëtari Ardit Gjebrea paraqitet në SPAK

Kosova dhe Shqipëria stërviten bashkë në Prevallë për Kërkrim-Shpëtim Malor

Kosova dhe Shqipëria stërviten bashkë në Prevallë për Kërkrim-Shpëtim Malor